KSHZ: Merrni letërnjoftimet me kohë në të kundërtën humbni të drejtën e votës

KSHZ u bën thirrje qytetarëve që nuk kanë letërnjoftime valide që më së voni deri më 8 shkurt, t’i bëjnë gati dokumentet e identifikimit pasi rrezikojnë të mos shkruhen në listën e votuesve. Nga KSHZ ja kujtuan se vetëm ata që kanë letërnjoftime valide të lëshuara nga MPB ja, një ditë pasi të shpallen zgjedhjet, do të shkruhen në listë.

Marketing

“Pasi që si dokument valid llogaritet vetëm ai që e ka lëshuar ministria, u bëjmë thirrje qytetarëve që dëshirojnë të realizojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet presidenciale, që ti marrin këto dokumente të përgatitura nga MPB-ja. Pra letërnjoftimet dhe pasaportat për të cilat kanë aplikuar së fundmi. Apelojmë që këtë gjë ta bëjnë deri pasnesër, respektivisht më së voni deri më 8 shkurt. Nëse si marrin dokumentet, nuk do të jenë pjesë e listës zgjedhore”,deklaroi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.

Sipas të dhënave jozyrtare, ekzistojnë mbi 3 mijë letërnjoftime të gatshme të qytetarëve që pronarët nuk i kanë marrë ende.

KSHZ-ja tha se është e gatshme edhe për skenarin e zgjedhjeve të dyfishta, presidenciale dhe parlamentare, dhe zotohen për një listë zgjedhore të pastër nga votuesit fiktiv që ishin në numër të madh gjatë procesit të fundit zgjedhor.

“Sigurisht që zgjedhjet presidenciale që organizohen këtë vit janë të rregullta dhe për to tashmë jemi të gatshëm me një plan të detajuar operativ. Nëse sillet vendim edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ne jemi të gatshëm për realizim. Kemi përvojë edhe nga e kaluara për organizimin e dy proceseve paralele kështu që kjo nuk do të jetë sfidë për ne. Misioni jonë është që të ketë zgjedhje të drejta dhe demokratike dhe të gjithë qytetarët të kenë qasje tek e drejta e votës…Ne bëjmë azhurnime të përditshme të Listës Zgjedhore”, deklaroi Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.

Sipas Ligjit, një ditë pas shpalljes së zgjedhjeve, Ministria e Punëve të Brendshme duhet të dorëzojë në KSHZ listën e qytetarëve të rritur, me dokument identifikimi valid, dhe pastaj KSHZ formon listën zgjedhore. Prandaj, qytetarët më së voni deri të premten duhet të marrin letërnjoftimet e tyre, që të mos rrezikojnë të përjashtohen nga lista zgjedhore.