KSHZ ndërpret aktivitetet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot në seancë ka sjell konkluzë për pezullimin e aktiviteteve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që duhej të mbaheshin më 12 prill duke vepruar sipas Dekretit të miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marketing

“Pezullohen të gjitha aktivitetet e mëtejmë të Komisioneve komunale zgjedhore. Të gjitha aktivitetet zgjedhore që janë ndërmarrë deri më 22 mars 2020 konsiderohen të vlefshme. Të gjitha aktivitetet e tjera që dalin nga Kodi zgjedhor do të parashihen me orarin e reviduar që KSHZ e ka sjell menjëherë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme me sjelljen e Dekretit të ri të Qeverisë për vazhdimin e procesit zgjedhor”, ka thënë kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski duke propozuar konkluzën.

Derkoski poashtu ka thënë se KSHZ do ta ruajë dhe sigurojë dokumentin zgjedhor deri në zbatimin e aktiviteteve zgjedhore dhe zgjedhjeve.

KSHZ, sipas Derkoskit, menjëherë pas situatës së ndryshuar ose sjelljes së Dekretit të ri të Qeverisë për vazhdimin e aktiviteteve zgjedhore do të duhet të sjell orar të reviduar për zgjedhjet.

“Kjo para së gjithash i referohet Kodit zgjedhor, aktiviteteve që ndërlidhen me të, mbikëqyrjen, përmbylljen e Listës zgjedhore dhe tjera”, ka informuar Derkovski.

Qeveria në seancën e mbrëmshme ka miratuar Dekretin për ndërprerje të të gjitha aktiviteteve për zbatimin e zgjedhjeve më 12 prill dhe për gjitha çështjet lidhur me procesin zgjedhor, ka njoftuar Pres shërbimi qeveritar.