KSHZ takon sot kandidatët për kryetarë të komunave në Dibër, Ohër dhe Novo Sellë

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në bashkëpunim me Institutin Demokratik Kombëtar (IDK) sot do t’i vizitojë komisionet zgjedhore komunale në Dibër, Ohër dhe Novo Sellë ku do të realizojë takime me kandidatët për kryetarë të komunave në këto komuna ose me përfaqësuesit e tyre të autorizuar.

Marketing

Sipas paralajmërimeve, paradite kryetari i KSHZ-së Oliver Derkovski së bashku me nënkryetaren Ditmire Shehu dhe anëtarin e KSHZ-së Enver Salihi si dhe me drejtorin e IDK-së Kris Henshou do ta vizitojnë komisionin zgjedhor komunal në Dibër ku do të takohen me përfaqësuesit e autorizuar të kandidatëve për kryetar të komunave, ndërsa pasdite do ta vizitojnë komisionin zgjedhor komunal në Ohër ku do të takohen me kandidatët për kryetar të komunës.

Anëtarët e KSHZ-së Elizabeta Postollovska dhe Janaqe Vitanovski dhe sekretari shtetëror i KSHZ-së Dobre Jançev, së bashku me përfaqësues të IDK-së sot paradite do ta vizitojnë komisionin komunal zgjedhor Novo Sellë dhe do të realizojnë takim me kandidatët për kryetar të komunave.