Komisioni për Sëmundjet Infektive rekomandon që izolimi i personave pozitivë për Covid-19 të reduktohet nga dhjetë ditë në shtatë ditë, tha sot ministri i Shëndetësisë Bekim Sali.
“Në seancën e sotme, e cila është thirrur me kërkesë të ministrisë së Shëndetësisë, anëtarët e Komisionit janë përgjigjur pozitivisht dhe jemi takuar. Është diskutuar në atë takim dhe natyrisht duke u bazuar në ndjekjen e trendit të vendimeve të marra në vende të ndryshme, të cilat janë relevante dhe të marra si shembull për krahasim, dhe bazuar në Institutin tonë të Shëndetit Publik që merr të dhëna në baza ditore, vendimi i Komisionit është që izolimi të ulet nga dhjetë ditë në shtatë ditë”, tha Sali.
Ai theksoi se ky vendim nuk është përfundimtar, pasi sipas tij, në të ardhmen do të monitorohet gjendja me të sapo infektuarit dhe do të merren rekomandimet dhe vendimet e duhura.