Kanë mbërritur në Shqipëri 4 fëmijët dhe një gruaja që janë nxjerrë nga kampi Al-Hol në Siri.
Bashkë me ta udhëtoi edhe kryeministri Rama i cili tha për mediat që tashmë pritet të kthehet edhe pjesa tjetër e fëmijëve dhe grave të mbetura në kamp.
“Ajo që është e rëndësishme është që kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar dhe janë bërë intervistat dhe kontaktet. Herët ose vonë do të kthejmë edhe pjesën tjetër. Ka një vit që ne punojmë me struktura të specializuara në ato territore, nuk kemi patur problem gjetjen e lokacioneve. Bëhet fjalë për operacione komplekse ku duhet marrë parasysh më shumë se një faktor. Ne nuk kemi lidhje me regjimin e Damaskut. Bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë për njerëzit. Drejtori i anti-terrorit ka qenë në territor për 4 javë. Nxjerrja e këtyre fëmijëve është një proces shumë i komplikuara, pasi ka edhe një pjesë të prindërve që qëndrojnë në pozicionet e tyre të radikalizuara. e gjitha është komplekse.”, tha Rama.
Kryeministri tregoi edhe mënyrën se si do të integrohen në shoqëri këta fëmijë.
“Faktikisht prej disa javësh jemi të përgatitur për këtë çështje. Vendimi për hyrjen e tyre në territor është marrë në kohën e duhur pasi struktura është gatit jo vetëm për këtë 4 fëmijë por edhe për të tjerët, me psikologë, mjekë si dhe me praninë e familjarëve. Do të punohet hap pas hapi për t’i integruar pastaj në strukturat sociale”.”, tha kryeministri duke shtuar se “kush ka bërë krime do t’i nënshtrohet drejtësisë”.
Floresha Rasha, e veja e Diamant Rashës nga fshati Sllovë i Dibrës është kthyer së bashku me tre fëmijët e saj, Amarin, Emelin dhe Hatixhen, dy më të vegjlit të lindur në kamp.
Sikurse u deklarua në media, Floresha kishte një plagë në trup dhe ndodhet në gjendje të vështirë shëndetësore.
Bashkë me ta është kthyer edhe Endri Dumani, i larguar me motrën e tij Eva dhe babain e tyre.