DAP dhe Ministria e Financave ende po analizojnë se si të realizohet në praktikë kthimi I TVSH-së.
DAP dhe Ministria e Financave ende po analizojnë se si të realizohet në praktikë kthimi i TVSH-së, ku çdo qytetar do të përfitojë kthim të 15 për qind të mjeteve.
Nga Ministria e Financave vlerësojnë aktualisht se kthimi i TVSH nuk duhet të realizohet përmes mbledhjes së llogarive fiskale por duke përdorur zgjidhje të avancuar IT ose aplikacione te ndryshme.
Sipas tyre, qëllimi i kësaj reforme, përpos që tu kthehen mjetet qytetarëve është edhe zvogëlimi I evazionit tatimor.
“Është me rëndësi që të kihet kujdes meqenëse prej TVSH-së mblidhen rreth 1/3 e të ardhurave buxhetore dhe është një sistem bukur I komplikuar që të funksionojë mirë. Analizat tona vazhdojnë intenzivisht, plani është që ky projekt të filloj të implementohet prej 1 korrikut ashtu siç është paralajmëruar edhe prej qeverisë dhe qëllimi përfundimtar është edhe zvogëlimi i evazionit tatimor për të cilën të gjithë jemi të vetëdijshëm”, u shpreh Rilind Kabashi nga ministria e financave.
Ekspertët presin që kjo masë të japë efekte pozitive meqë është një praktikë e provuar edhe në shtetet e tjera.
“Fakti se shpresohet të reduktohet evazioni fiskal prej 30 % aq sa edhe mendohet se është, dhe në qoftë se ju kthehen konsumatorëve prej 60 deri në 100 milion euro, edhe buxheti shtetëror do të ketë përfitime.
Është një masë e cila është risi në vendin tonë akoma ka shumë të panjohura, shpresojmë do të jetë një prej masave e cila do të jep rezultate pozitive”, theksoi profesori universitar Nasir Selimi.
Në nivel vjetor qytetareve paralajmërohet se do tu kthehen 30.000 denare.
Gjithashtu edhe shumat e kthimit për këtë masë do të jenë të kufizuara me qëllim që të ketë një shpërndarje të barabartë të mjeteve, që të mos ndodh që qytetarët me të ardhura më të mëdha e që harxhojnë më shumë, të fitojnë më shumë mjete nga kjo masë.