Ku ishte destinacioni? 8.8 tonë kokainë kapen në portin e Guayaquilit

Policia e Ekuadorit bën me dije se ka sekuestruar një sasi shumë të madhe lënde narkotike të llojit kokainë që nëse do të dilte në treg do të arrinte një vlerë prej 330 milionë dollarësh.

Marketing

Lënda narkotike u gjet e fshehur në një ngarkesë me banane në portin e Guayaquilit dhe kishte si destinacion Belgjikën, për t’u shpërndarë më pas në të gjithë tregun europian.

Në vitet e fundit, Ekuadori është kthyer një ndër vendet për kalimin tranzit të kokainës që prodhohet dhe në vendet fqinje të Perusë dhe Kolumbisë.

Vetëm në vitin e kaluar, autoritetet sekuestruan në vendin e Andeve më shumë se 200 tonë kokainë.

Ekuadori është gjithashtu një ndër eksportuesit më të mëdhenj të bananeve dhe për këtë arsye trafikantët zgjedhin ngarkesat me frutin ekzotik për të shpërndarë kokainën në mbarë botën.

Konfiskimi përkon me vizitën e Ministres së Brendshme të Belgjikës, Annelies Verlinden dhe Komisioneres Evropiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson në Ekuador dhe Kolumbi.

Të dy zyrtarët duan të forcojnë bashkëpunimin me dy vendet e Amerikës së Jugut në luftën kundër trafikut të drogës.

Belgjika është kthyer në vendin ku janë sekuestruar sasitë më të mëdha të kokainës brenda Bashkimit Evropian në vitet e fundit, me portin e Antverpit si pikën kryesore të hyrjes së drogës ilegale.