Kthimi i vetos për Shkupin do të ishte një gabim i madh dhe do t`i përkeqësojë marrëdhëniet Shkup-Sofje, vlerëson Ilhan Kjuçuk, eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian.
“Do të ishte një gabim i madh. Vetoja në asnjë mënyrë nuk ndikoi pozitivisht në marrëdhëniet ndërfqinjësore. Përkundrazi, nisën provokimet” – tha Ilhan Kjuçuk, eurodeputet bullgar.
Në pyetjen se si do të reagojë Brukseli nëse Shkupi ndalon eurodeputetët bullgar, politikanët dhe personalitetet publike të marrin pjesë në fillim të shkurtit, në ngjarjet që lidhen me Goce Dellçevin, eurodeputeti Kjuçuk, sic percjell KlanM, thotë se “nuk ka gjasa që institucionet evropiane të mbështesin një sjellje të këtillë nga autoritetet e RMV-së, duke shtuar se as Brukseli, e as Strazburgu nuk mund ta pranojnë këtë si qasje normale.
“Nuk mund t`i shohim si të izoluara gjërat. Duhet të kërkojmë mekanizma që do të jenë të qëndrueshme. Patjetër të ketë mekanizma të ndjekjes në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe. Ka shumë shembuj të vendeve me raporte të vështira historike – Sllovenia dhe Kroacia, Sllovenia dhe Italia. Nga kënvështrimi i memorjes historike, kjo nuk është diçka e re” – tha Kjuçuk.
Deklarata e eurodeputetit Kjuçuk, sic njofton KlanM, vjen pas paralajmërimeve të Ministrit të Jashtëm bullgar, Nikolaj Milkov, pas takimit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së, se nuk përjashtohet mundësia e vetos së re për RMV-në nga Bullgaria, duke shtuar se shpreson se kjo nuk do të ndodh.