Së paku deri të hënën nuk do të ketë vendosje të marzhës prej 10% për produkte ushqimore dhe jo ushqimore, masë të cilën e paralajmëroi Ministria e Ekonomisë. Kjo shtyrje vjen pasi ministri i ekonomisë Besar Durmishi, takoi përfaqësues të zinxhirëve më të mëdhenj të distributorëve dhe tregtarëve. Nga Oda Tregtare kërkojnë që të ulet numri i produkteve që do të përfshihen në marzhë. Siç thonë, nëse dikush dëshiron të blejë produkte luksoze dhe të shtrenjta, atëherë ato produkte nuk duhet t’u ulet çmimi. Marzha të vlejë vetëm për produktet që përdoren në përditshmëri, thonë tregtarët.
“D.m.th. për produktet e përditshme, le të jenë 50 apo 100. Mirëpo ne themi ja le të jenë edhe 200 prodhime por të kenë ulje reale. Tani në marrëveshje me distributorët dhe prodhuesit, të bëjmë ulje reale ku do të shihet se me të vërtetë produkti është ulur dhe është i qasshëm deri te blerësi. Me vendimin momental janë mbi 1000”, tha Danica Bllazheska – Oda e Tregtarëve.
Ministria e Ekonomisë do t’i shqyrtojë kërkesat e tregtarëve ndërsa në takimin e sotëm nuk u arrit asnjë marrëveshje. Vendimi përfundimtar mbetet për javën e ardhshme.
“Në mbledhje u diskutua për propozim vendimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për kufizimin e bruto marzhës për 10% në tregtinë me shumicë dhe 10% në tregtinë me pakicë për një pjesë të prodhimeve ushqimore bazë dhe produkteve higjienike. Tregtarët dhe distributorët dhanë propozimet dhe vërejtjet e tyre, të cilat Ministria e Ekonomisë dhe Punës do t’i analizojë”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.
Për gjithë këtë tollovi me marzhat dhe çmimet, nga LSDM thonë se është faji i Qeverisë.
“Kërcënimet e tregtarëve për largimin e 5000 punonjësve janë pasoja direkte nga paaftësia e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së të udhëheqë me politika ekonomike të cilat do t’i mbrojnë qytetarët, sigurinë dhe stabilitetin e punonjësve dhe kompanive. Kështu ndodhë kur Mickoski në vend se të jetë lider, aktron mbikëqyrës në shtetin që e udhëheqë”, u shpreh Metodija Ilievski – LSDM.
Paralajmërimet për vendosjen e marzhave erdhën pasi Inspektorati i Tregut dorëzoi raportin gjashtë mujor të inspektimeve sa i përket përqindjes së fitimit nga distributorët, prodhuesit dhe tregtarët. Siç njoftoi për Alsat ministri i ekonomisë Besar Durmishi, tregtarët kishin ngritur marzhën e fitimit deri në 30% ndërsa distributorët deri në 50%. Vendosja e marzhës së paralajmëruar, siç njoftuan paraprakisht nga Oda e Tregtarëve, do të vinte në pikëpyetje mbijetesën e 86 kompanive, me 790 shitore dhe 4700 të punësuar. Me 10% bruto marzhë nuk mund të mbulojnë harxhimet operative, patën reaguar nga Oda e tregtareve. /Alsat.mk