Shumë do të pajtohen se asgjë nuk mund ta freskojë dhomën, siç mund ta bëjë kondicioneri, të cilin shumë njerëz e kanë në shtëpitë e tyre. Megjithatë, dihet se aleati juaj veror, nuk është dhe aq i mirë për shëndetin, nëse përdoret shumë dhe nuk tregohet kujdes.
Në dhomat me ajër të kondicionuar, ajri zakonisht nuk është mjaft i lagësht, gjë që ka një efekt negativ në mukozën e traktit respirator. Kjo mund të çojë në tharje të lëkurës dhe mukozave, të cilat mund të shkaktojnë më tej inflamacion të traktit të sipërm respirator.
Ky inflamacion zakonisht manifestohet me kollë, ankth, kruajtje dhe acarim të fytit. Në rastin më të rëndë, ky inflamacion mund të çojë në kollitje intensive dhe parehati të përgjithshme në organet e frymëmarrjes, dhe te astmatikët.
Kondicioneri është gjithashtu një nga shkaqet kryesore të sëmundjes së legjionarëve. Kjo sëmundje shkaktohet nga bakteri Legionella, i cili mbijeton dhe zhvillohet në një temperaturë ndërmjet 30 dhe 37 gradë. Duke thithur ajrin, ky bakter arrin në mushkëritë e njeriut.
Kur një person infektohet me legjionelë, shfaqen simptoma të tilla si ethe, dhimbje muskulore dhe kollë. Njerëzit që në përgjithësi janë duke luftuar me probleme të frymëmarrjes, të sëmurët kronikë, personat me imunitet të dobët, të moshuarit dhe fëmijët kanë një rrezik pak më të lartë të infektimit.
Edhe pse kjo mund të tingëllojë e frikshme, ekspertët besojnë se nuk ka vend për panik dhe se mirëmbajtja e kondicionerëve është një parandalim i mjaftueshëm. Është e nevojshme që një herë në vit të bëhet shërbimi i plotë dhe nëse përdoret edhe për ngrohje gjatë dimrit, dy herë.
Mos harroni se është e nevojshme që temperatura në dhomë të jetë optimale dhe të mos jetë shumë e ulët.