Vala e të nxehtit afrikan që ka përfshirë prej ditësh vendin tonë, ka bërë që të rritet numri i pacientëve që i drejtohen qendrave shëndetësore, për të marrë ndihmë për probleme nga më të voglat, deri tek ato që shkakton goditja nga dielli.
“Nuk i ndaj kapelen dhe syzet. Pi shumë ujë e lëngje. Vera këtë punë ka tani. Por unë lëviz edhe në orët me diell, sepse të tillë e kam punën“, shprehen qytetarët.
Ursina Hajdini, mjeke familje: Moshat më të rrezikuara nga i nxehti janë të moshuarit, fëmijët, por edhe gratë shtatzëna, si dhe pacientët me sëmundje kronike, veçanërisht ata që vuajnë nga zemra, diabeti, veshkat.
Goditja nga i nxehti fillon që me simptoma të lehta, që janë ulje tensioni, marrje mendsh, dhimbje koke, ndjesi e përgjithshme dobësie. Por mund të kalojë në të vjella, humbje ekuilibri, e deri në shtrim në spital.
Me marrjen e disa masave të thjeshta në përditshmëri, mund t’i shmangim këto efekte anësore të temperaturave të larta, që nisin që nga mosdalja në diell nga ora 11 paradite deri në 5 pasdite, përdorimi I veshjeve të lehta, të gjera e të pambukta, konsumimi i sa më shumë lëngjeve, sidomos ujit, shmangia e pijeve alkoolike, e pijeve me kafeinë dhe shumë sheqer.
Ka dhe profesione që janë të rrezikuara, për shkak të ekspozimit për një kohë të gjatë në diell, si ndërtimtaria dhe bujqësia. Ne I këshillojmë që të konsumojnë sa më shumë ujë e lëngje gjatë ditës e të alternojnë qëndrimin në diell me atë në hije.