Kuka eliminohet në rrethin e dytë

Loriana Kuka ka mbyllur paraqitjen e saj në Lojërat OIimpike “Parisi 2024”.

Marketing

Kuka, të martën, u eliminua në rrethin e dytë të kategorisë deri 78 kilogramë.

Në këtë raund, Kuka u mposht nga xhudistja ukrainase Yelyzaveta Lytvynenko për t’i dhënë fund shpresave për të arritur diçka më shumë në Olimpiadë.

Në fakt, Kuka e nisi mirë garimin pasi në xhiron e parë triumfoi me Ippon ndaj sllovenes Meta Lobnik.

Me eliminimin e Kukës, kanë marrë fund edhe garat për xhudistët e Kosovës në Olimpiadën e Parisit.

Kuka ishte garuesja e fundit në tatami, ndërsa xhudoja në këtë ngjarje u përfaqësuar me pesë garues që ishin kualifikuar me normë olimpike.

Para Kukës, në Paris garuan edhe Distria Krasniqi (52 kg), Nora Gjakova (57’), Akil Gjakova (73 kg) e Laura Fazliu (63 kg).

Distria Krasniqi e Laura Fazliu siguruan medalje për Kosovën, duke e fituar të argjendtën përkatësisht të bronztën.

Nora Gjakova u eliminua në xhiron e parë, ndërsa Akil Gjakova doli i pesti në kategorinë e tij.