Kumanovë, edhe 8 raste të reja me Covid-19, 4 prej tyre personel mjekësor

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kumanovë janë shënuar edhe 8 raste të reja me COVID-19. Këtë për TVM2 e bëri të ditur Arif Latifi, drejtor në Qendrën për Shëndet Publik në Kumanovë. Mes të prekurve me virusin Korona, përveç qytetarëve, ka edhe 4 raste tek personeli mjekësor pranë Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës. Bëhet fjalë për dy infermiere dhe dy teknikë.

Marketing

“Deri më tani kemi 8 pacientë me COVID-19, sot kemi marrë 75 strisho, kemi bërë një testim në numër më të madh, 10 janë pacientë përmes “Termini im”, disave u kemi bërë në shtëpi dhe 50 janë strisho të personelit mjekësor, të cilët kanë hasur në rrezikshmëri të lartë”,- theksoi drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Publik, Arif Latifi.

Arif Latifi gjithashtu apelon deri te të gjithë ata qytetarë që kanë simptoma të COVID-19, që pa hezitim të paraqiten te Qendra për Shëndet Publik, e mos të mbajnë të fshehtë këtë, që ne të mundemi të marrim masa parandaluese.

“Të jesh i infektuar me COVID-19 nuk është turp, është një fatkeqësi e cila mund të na ndodhë gjithsecilit, prandaj kontaktet me pacientë të ndryshëm që kanë qenë me virusin Korona, ju lutemi si personel mjekësor që të na tregojnë e që më pastaj ne t’i marrim masat adekuate duke i ofruar ndihmë atyre dhe familjeve të tyre”,-theksoi Latifi.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit 6 qytetarë nuk e kanë respektuar lëvizjen e kufizuar, andaj 3 prej tyre janë privuar nga liria, kurse 3 të tjerëve u janë marrë të dhënat personale.