Kumanovë, familja Bilalli me shtëpi të re

Dimrin e kaluar shtëpinë e Haki Bilallit në “Lagjen e trimave“ në Kumanovë e kishte kapluar një zjarr i fuqishëm i cili të njëjtën e shkrumboi tërësisht, kurse familja 5 anëtarëshe mbeti pa kulm mbi kokë. Mirëpo falë humanitetit të tashmë të ndjerit Naip Rexhepit me vëllezër e kushëri, familja Bilalli sërish u bë me shtëpi të re.

Marketing

Në të vërtetë mbrëmë në vigjilje të festës së Kurban Bajramit në praninë e familjarëve, dashamirëve e përfaqësuesve të “Xhamisë së Re” në “ Lagjen e trimave “Haki Bilallit , çelësat e shtëpisë së re ia dorëzoi biri i Naip Rexhepit të ndjerë, Metushi.

“I drejtohemi me lutje Allahut të lartë madhërishëm, që ata persona që kontribuuan për ndërtimin e kësaj shtëpie, më konkretisht i ndjeri Naip Rexhepi i cili ishte edhe kryetar i Xhamisë së Re në Lagjen e Trimave të Kumanovës, ishte iniciator për ndërtimin e kësaj shtëpie, pasi që Haki Bilallit gjatë dimrit të kaluar iu djeg shtëpia, dhe me këtë rast familja Rexhepi ndërmorën një aksion dhe financuan ndërtimin e kësaj shtëpie”, tha Eljasa Mahmudi, imam i xhamisë së re në lagjen e trimave.

“Ishte iniciativë e familjes Rexhepi që të ndërtohet kjo shtëpi, të cilët edhe i falënderojmë. Tash kushëriri ynë Haki Bilalli i ka kushtet më të mira për një jetesë normale, ai më herët nuk kishte kushte as elementare, tani fëmijët dhe e tërë familja e tij i kanë kushtet shumë më të mira”, tha Fisnik Ahmeti, familjar i Haki Bilallit.

Sdo mend tek anëtarët e familjes Bilalli gëzimi ishte i papërshkrueshëm dhe janë falënderues për donacionin e familjes Rexhepi.

Marketing