Kanë filluar punimet për rehabilitimin dhe rikonstruimin e magjistrales Kumanovë–Stracçin. Për t’i inspektuar punimet kishin ardhur ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoja Boçvarski, i shoqëruar nga Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rrustemi.
“Magjistralja Kumanovë–Straçin po realizohet në dy faza, ky investim arrin shumën në 13 milion euro, ku është paraparë rehabilitimi i njërës pjesë në gjatësi prej 32 km. Ajo çka është më e rëndësishmja se me këtë rehabilitim po e përmirësojmë infrastrukturën rrugore dhe po u sigurojmë shoferëve vozitje të sigurt nëpër këtë rrugë shtetërore. Sot jemi këtu në pjesën ku po kryhen punimet e fazës së dytë ku presim që punimet rreth rehabilitimit dhe rikonstruimit të rrugës të kryhen këtë vit.”,- tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoja Boçvarski.
“Rruga 30 vjeçare do të rehabilitohet dhe do të rindërtohet në mënyrë kualitative që të jetë jetëgjatë, ngase këtu trafiku është i mbingarkuar. Bëhet fjalë për sesion prej 16.64 km dhe me gjerësi të ndryshueshme nga 7 metra deri në 10 metra, ky projekt është i financuar nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” dhe që kap vlerën prej 7.2 milion euro. Përndryshe, do të realizohet rehabilitimi i plotë i rrugës, duke u asfaltuar në dy shtresa dhe duke riparuar 3 ura.”,- u shpreh drejtori i Rrugëve Shtetërore të RMV-së, Ejup Rrustemi.
Drejtori i N. P. ”Rrugët Shtetërore”, Ejup Rrustemi, gjithashtu tha se gardhi ekzistues do të zëvendësohet me gardh të ri elastik sipas standardeve evropiane, si dhe do të instalohet komplet ndriçim publik.
Ndryshe, afati i përfundimit të punimeve për rehabilitimin e kësaj magjistrale është në gusht të këtij viti.