Kumtesë nga Këshilli organizativ i Marshit Përkujtimor
Qytetarë të nderuar,
Me kënaqësi të madhe ju njoftojmë se Marshi Memorial për nder të viktimave të aksidentit rrugor te Llaskërca, kaloi mirë dhe i tejkaloi pritjet tona.
Në marsh morën pjesë qindra qytetarë nga Gostivari dhe qytete të tjera nga i gjithë vendi, prej të cilëve një pjesë në mënyrë simbolike, rreth njëqind përshkuan një ose dy etapa, ndërsa 46 pjesëmarrës marshuan nga fillimi deri në fund në rutën e gjatë 53 km në kohëzgjatje prej 11:30 orë. Vlen të theksohet se edhe një numër i konsiderueshëm nga gjinia më e bukur morën pjesë në marsh, 6 prej të cilave e përshkuan rutën e tërë, ndërsa rreth dhjetë përshkuan një apo dy faza të saj, kurse morën pjesë edhe persona të lënduar në këtë tragjedi, si dhe anëtarë të familjeve të viktimave.
Ajo që më së shumti na gëzon, është fakti se si gostivaras dëshmuam edhe një herë se jemi gjithnjë të bashkuar, si në të mirë ashtu edhe në të keqe, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, politike, sociale apo çfarëdolloj përkatësie tjetër. Shpresojmë që arritëm të dërgojmë mesazh të fuqishëm deri tek institucionet shtetërore për ndërmarrje të masave për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, si dhe për ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve në komunikacion për vozitje të kujdesshme dhe respektim të rregullave, që tragjedi të tilla të mos na përsëriten në të ardhmen. .
I shprehim falënderim Komunës së Gostivarit dhe kryetarit Arben Taravari për mbështetjen e plotë materiale dhe logjistike, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për asistencën policore gjatë gjithë marshimit.
Gjithsesi, falënderim i madh për mediat lokale, rajonale dhe kombëtare, për mbulimin e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme.
Besojmë se ky marsh do të bëhet tradicional dhe do të përfshihet në agjendën e aktiviteteve të Komunës së Gostivarit, me çka do të përmirësohet niveli i organizimit por edhe masiviteti i pjesëmarrjes.