Kupa e Botës 2034 “në duart” e sheikëve të Arabisë Saudite

Arabia Saudite duket se me shumë gjasë do të jetë vendi pritës i Kupës së Botës 2034, pasi rivali i vetëm në garën për organizimin eventit madhështor, që ishte Australia, ka njoftuar tërheqjen e ofertës për FIFA-n.

Marketing

“Ne kemi shqyrtuar mundësinë për të bërë ofertë për të pritur Kupën e Botës FIFA dhe duke marrë parasysh të gjithë faktorët, kemi arritur në përfundimin që të mos e bëjmë këtë për kompeticionin e vitit 2034. Në vend të kësaj, ne besojmë se jemi në një pozicion të fortë për të pritur kompeticionin më të vjetër ndërkombëtar të femrave në botë, Kupën Aziatike të Femrave AFC 2026 dhe më pas mirëpresim skuadrat më të mëdha në futbollin botëror për Kupën e Botës FIFA 2029 për klube”, thuhet në një deklaratë nga Football Australia.

Tërheqja e Australisë nga gara vjen vetëm një muaj pasi Mbretëria i paraqiti FIFA-s një letër ku shprehte dëshirën dhe qëllimin për organizimin e Kupës së botës, pasi organi drejtues i futbollit kishte njoftuar më herët se vetëm ofertuesit nga Azia dhe Oqeania do të konsideroheshin për vitin 2034.

Sakaq gara nuk mund të deklarohet ende e mbyllur, pasi vendet që shpresojnë të presin Kupën e Botës 2034 duhet të shprehin interes zyrtar deri më 31 tetor dhe një marrëveshje e nënshkruar ofertimi duhet të paraqitet deri më 30 nëntor.

Anëtarët e FIFA-s do të kenë më pas mundësinë që të vulosin mikpritësit e 2030 dhe 2034 në fund të vitit 2024.