Kur do të vazhdojë seanca për ndryshimet kushtetuese?

Kreu Kuvendit Talat Xhaferi nuk jep sqarime të tjera rreth ftesës së partisë opozitare VMRO-DPMNE për të caktuar vazhdimin e seancës për ndryshimet kushtetuese dhe për të vendosur nismën në votim, shkruan Alsat.

Marketing

Nga kabineti i kryeparlamentarit thonë se përgjigjen e kanë dhënë në konferencë për shtyp ditë më parë. Atëherë Xhaferi kishte deklaruar se për vazhdimin e seancës vendos kreu i Kuvendit kur të krijohen kushtet e nevojshme.

Ish kreu i Kuvendit dhe ish deputeti i VMRO-DPMNE-së Trajko Veljanovski, me një letër drejtuar Xhaferit, thotë se sot është afati i fundit për vazhdimin e seancës dhe për vendosjen e nismës në votim.

“Sot, më 1 shtator përfundojnë dhjetë ditët e punës që kur është hapur procedura dhe ka përfunduar diskutimi për ndryshim të Kushtetutës në seancën me numër 123, e caktuar dhe e mbajtur më 18 gusht. Votimi duhet të ndodhë sot. Çdo veprim ndryshe nuk është në përputhje me Rregulloren. Rregullorja për punën e Kuvendit nuk lejon paqartësi për një procedurë me një rëndësi aq të madhe”, tha Trajko Veljanovski, ish kryetar i Kuvendit (VMRO-DPMNE).

Për dalje nga kjo situatë, sipas Veljanovskit, të paktën 20 deputetë duhet të kërkojnë vazhdimin e seancës. Nëse Xhaferi nuk vepron në përputhje me këtë kërkesë të të paktën 20 deputetëve, atëherë Veljanovski thotë se kreu aktual i Kuvendit vendos praktikë të keqe, vendoset mbi deputetët dhe zhvendos sistemin politik institucional.

VMRO-DPMNE-ja është e bindur se pushteti nuk ka siguruar 80 votat e nevojshme dhe që nisma do të dështojë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se debati për këtë çështje do të vazhdojë aq sa është e nevojshme.

“Debati varësisht seriozitetit të çështjes që është para nesh do të shkojë aq sa është e nevojshme për t’u siguruar përparim i Maqedonisë së Veriut në procesin e eurointegrimeve. Të ishte vendim më i lehtë, me siguri do t’i kishim kushtuar edhe më pak kohë. Sa i takon interpretimit të Rregullores do t’iu kisha ftuar të bisedoni me kryetarin e Kuvendit. Qeveria nuk udhëheq seancat e Kuvendit, këtë e bën kryetari i Kuvendit. A sa kryetari i mirë i Kuvendit ka qenë Trajko Veljanovski këtë mundëm ta shohim më 27 prill”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Që seanca të mos zvarritet sot bëri thirrje edhe kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, pas koordinimit të zakonshëm me deputetët e tij./ Alsat.mk