Kurti bashkëbisedon me avokatët e ish-krerëve të UÇK-së, këto janë çështjet që u diskutuan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka zhvilluar një takim virtual me avokatët e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Marketing

Në komunikatën e qeverisë, ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerëve të institucioneve të Kosovës iu referohet si “shqiptarëve të akuzuar”, shkruan lajmi.net.

Gjithashtu në komunikatë thuhet se takimi është mbajtur si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse.

“…procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta.”, ishin temë e diskutimit.

Palët janë pajtuar që takimet të jenë të rregullta.

Ky është njoftimi i plotë i kryeministrisë:

Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me avokatët mbrojtës të të burgosurve në Hagë

Prishtinë, 3 maj 2022

Kryeministri Kurti sot bashkëbisedoi me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipeve mbrojtëse të shqiptarëve të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë. Takimi u mbajt online dhe zgjati gati dy orë dhe gjatë tij u diskutuan kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Takimi u mbajt si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta.

Kryeministri Kurti propozoi që takimet e tilla të vazhdojnë e të jenë të rregullta.

Të gjitha ekipet u shprehën tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kryeministrin Kurti, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara.