Në ditën ndërkombëtare për personat e zhdukur, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti bashkë me ish-deputetë, anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të Lëvizjes mbajtën homazhe në sheshin “Skënderbeu” para përmendores dedikuar të pagjeturve të luftës.
Prej luftës së fundit në Kosovë fati i 1652 të pagjeturve ende mbahet peng në errësirat e zyrave të shtetit serb dhe Kurti tha se familjarët e tyre ende kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë për ta.
“Fati i të pagjeturve është ngushtësisht i lidhur me fatin tonë, të mos kërkosh drejtësi për ta do të thotë ta zhdukësh veten prej drejtësisë. Paqja, ardhmëria dhe zhvillimi nuk e mbushin kurrë boshin dhe mungesën e tyre. Brenga për të pagjeturit na mëson se paqen në jetë e sjell vetëm vendosja e drejtësisë”, tha ai.