Kurti: Fillimisht presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se partia e tij do që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen sa më shpejt, por tha se në takim me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, nuk ka biseduar për datën e zgjedhjeve.

Marketing

“Ky ishte një këshillim paraprak dhe ne shprehëm interesimin tonë si subjekt politik që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të kemi një datë, e cila do të jetë sa më e hershme”, tha Kurti.

“Ne, së pari, duhet ta marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Pas kësaj mund të shpallet data e zgjedhjeve, në një hark të caktuar kohor, siç e parasheh Kushtetuta”, shtoi ai.

Kurti tha se përmes zgjedhjeve të reja do të “restaurohet legjitimiteti i institucioneve”.

“Ne jemi të interesuar që të mbahen zgjedhjet e reja dhe të parakohshme në Republikën e Kosovës, meqenëse kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet të ecim sa më shpejt, që duke u kthyer te populli si burim i sovranitetit, të restaurojmë legjitimitetin e institucioneve dhe të kemi një qeveri të re e kompetente, e cila e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë”, tha Kurti.

Osmani nisi të martën konsultat me partitë politike, pasi, më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi që zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ishte jokushtetuese.

Kjo, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi, i cili, më 3 qershor, votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Vendimi i Kushtetueses po ashtu ndalon që personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë në një periudhë trevjeçare, të garojnë në zgjedhje.

Kurti, më 2018, është dënuar me kusht, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, pas takimit me Osmanin, ai tha se pret që ta shohë aktgjykimin e plotë të Kushtetueses, në mënyrë që të mund ta interpretojë saktë këtë pjesë të vendimit të Gjykatës.

Marketing