Kurti fton Vuçiq ta nënshkruajë menjëherë në seancë marrëveshjen

Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Beogradin zyrtar se jo vetëm që po promovon gjenocid ndaj Kosovës, por edhe po i rrah e po i përndjek opozitarët serbë vetëm pse kanë vendosur kurora lulesh te varri i Blerina Jasharit, vajzës së vrarë shtatëvjeçare gjatë luftës nga forcat serbe në Kosovë.

Marketing

Ai në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka përmendur rastin e Nikola Sanduloviq, i cili është rrahur brutalisht nga BIA serbe për një gjë të tillë.

“S’është e befasishme se Serbia promovon jo vetëm gjenocid, por edhe në mënyrë të dhunshme po e realizon atë. Pasi opozitari serb Nikola Sanduloviq kërkoi falje për krimet serbe gjatë luftës në Kosovë te varri i një viktime shtatëvjeçare, shërbimi sekret serb e arrestuan më herët gjatë muajit janar dhe e rrahën derisa humbi vetëdijen, duke e lënë atë të paralizuar”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përmendur edhe agresionin terrorist serb më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjska, ku mbeti vrarë heroi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Ai tha se Policia e Kosovës me profesionalizëm kanë vepruar në Banjska për të shmangur viktima eventuale civile, të cilat po përdoreshin si mburoja të gjalla nga terroristët.

“Më pas më 27 shtator, Serbia shpalli një periudhë tri ditë zie për terroristët të vrarë në operacionin policor. Vuçiq tha se shumë serbë janë plagosur në incidente të ndryshme, por ai nuk i përmendi tre serbët e vrarë. Pse ai nuk i përmendi? Sepse ai e di se ata janë terroristë, të cilët janë financuar dhe mbështetur, orkestruar nga ai”, tha Kurti.

Ai theksoi se Milan Radojçiq, organizator i sulmeve të 24 shtatorit, ende nuk ka po qëndron i lirë në Serbi, edhe pavarësisht faktit se ka urdhërkërkim nga Interpoli për kapjen e tij.

Për më tepër Kurti ka folur edhe për marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke ftuar presidentin Vuçiq ta nënshkruajë marrëveshjen në seancën e KS të OKB-së në Nju Jork.

“Serbia refuzon dy obligime kyçe që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan… Përkundër ofertave të mia të përsëritura, Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë. Unë e ftoj të nënshkruajë këtu në këtë takim, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore fqinjësore me Kosovën”, tha Kurti.