Kurti i shkruan letër Thaçit: Mos bëj presion, jemi afër marrëveshjes me LDK-në

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm i është drejtuar me një letër presidentit të vendit, Hashim Thaçi në lidhje me kërkesën e këtij të fundit që të nominohet mandatari për kryeministër të vendit.

Marketing

Kurti i kërkon kreut të shtetit që të mos bëjë vlerësime politike dhe presion përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë, proces që sipas tij është i përcaktuar qartë me Kushtetutë dhe i sqaruar në hollësi me aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese ku presidenti nuk mund të bëjë interpretime shtesë.

Kreu i VV-së shkruan se Kushtetuta nuk i njeh presidentit të republikës asnjë autoritet për të ushtruar një vetemërim, vetësugjerim për emërim ose vetëpërcaktim të kandidatit që përfaqëson vullnetin e subjektit politik fitues të zgjedhjeve.

Kurti gjithashtu shkruan se roli i presidentit është pasiv në të gjithë procesin e krijimit të qeverisë dhe se vetëm formalisht mandaton një kandidat pasi atij i dërgohet emri nga subjekti që ka shumicën parlamentare.

Kurti tërheq vëmendjen se një veprim ndryshe i Thaçit mund të shtrembërojë rendin kushtetues, siç sipas tij janë edhe interpretimet subjektive dhe të pabaza se ndokush obligohet të veprojë shpejt apo ngadalë.

Në fund, Kurti thotë se VV nuk po e shfrytëzon këtë kohë për të neglizhuar ndërtimin e koalicionit as edhe të cenojë autoritetin e presidentit, por me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje politike që adreson një dakordim për programin qeverisës.

Ai thotë se marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës është në fazën e finalizimit dhe në një të ardhme të afërt do t’i dërgohet zyrtarisht emri i të nominuarit për mandatar të shefit të ekzekutivit të vendit./KosovaPress/

Marketing