Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë identifikuar 45 persona që bëjnë pjesë në dy organizatat e shpallura terroriste nga Qeveria javën e kaluar, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
“Deri më sot janë identifikuar 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulme, dhune kundër ushtarëve të KFOR-t policisë e gazetarëve, por njëkohësisht edhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës tek shok bomba, por edhe te plumbat qofshin ato të automatikeve ose të revolverëve. U pa me datën 23 qershor çfarë armatime dhe municioni u konfiskua në një automjet me targa të Beogradit që i përket ndërmarrjes publike hekurudhat të Serbisë. Është një situatë në të cilën ka shumë kriminel, kjo s’ka të bëjë me popullsinë serbe, popullsia serbe atje është paqësore, ajo dëshiron jetë të mirë në vendin tonë, mirëpo janë këta dhjetëra kriminel të spikatur të cilët dhunën e parë nuk e kanë bërë as me 26 maj as me 29 në Zveçan, por shumë më herët, përveç atyre 45 qe janë identifikuar, kjo nuk do të thotë që s’ka edhe më shumë, por minimumi është 46. Qytetarë serbë janë më të frikësuarit prej këtyre kriminelëve, ne na dërgojnë informacion çdo herë kur vepron ligji”, theksoi Kurti.
Kurti: Vuçiq i ra pishman që i tha “po” marrëveshjes bazike
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka rënë pishman që i ka thënë ‘po’ marrëveshjes bazike të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Për normalizim na duhet menjëherë zbatimi i marrëveshjes. Ne kemi marrëveshje me Serbinë, kjo është e arritur shumë e madhe e Brukselit. Kjo marrëveshje është pjesë e konkluzioneve të Këshillit të Evropës që në mënyrë unanime e ka bërë pjesë të veten marrëveshjen e arritur. Kjo marrëveshje duhet zbatuar. Sot nuk kemi normalizim sepse nuk kemi zbatim të marrëveshjes. Dialogu është vetëm për zbatim se ne marrëveshjen e kemi. Është bindja ime e fuqishme nga takimet që kam pasur se Vuçiq i ka rënë pishman që i ka thënë ‘po’ marrëveshjes bazike, ndonëse ka thënë po që të mos nënshkruajë, ndërsa tani i ka rënë pishman që ka thënë po”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka theksuar se thelbi i çështjes është që ekziston marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që marrëveshja nuk po zbatohet nga kjo e fundit.
Kurti: Masat e BE-së të padrejta, Kuvendi t’i kalojë kreditë dhe grantet e ngujuara
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsëriti se masat ndëshkuese të BE-së janë të padrejta. Por sipas tij, aktualisht Kosova i ka të ngujuara miliona kredi dhe grante, që duhet të kalojnë nëpërmjet Kuvendit.
Ai deklaroi të hënën se rreth 149 milionë euro janë të bllokuara.
“Është e vërtetë që janë paralajmëruar masa të cilat edhe janë zbatuar disa prej tyre, ju e dini që ushtrimi i madh ‘Defender Europe’, sidomos në Gjakovë ku e kishim të planifikuar u pat anuluar, bëhet fjalë edhe për vizita e masa të përkohshme, të cilat për bindjen time janë të padrejta. Ajo që ne duhet të bëjmë është që në Kuvend, me 2/3 e deputetëve t’i kalojmë ato kredi dhe grante që kanë ngelur të ngujuara dhe s’po mund t’i gëzojë ekonomia e Kosova, rreth 149 milionë euro. Kredi dhe grante që pa 2/3 nuk po kalojnë. Teksa mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual të cilin do të mund ta largojmë bashkërisht në Kuvendin e Kosovës”, tha Kurti.