Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar shqiptarët që jetojnë në Serbi që t’i përgjigjen procesit të regjistrimit të popullsisë në këtë vend, si masë për t’iu përgjigjur shtypjes.
Të shtunën ka nisur regjistrimi i popullsisë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Procesi do të zgjasë deri më 31 tetor. Shqiptarët në Serbi janë diskriminuar në vazhdimësi nëpërmjet pasivizimit të adresave.
“Në rrethana normale dhe në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara procesi i regjistrimit të popullsisë trajtohet si diçka e natyrshme. Në ato vende, përcaktohen politikat 10-vjeçare zhvillimore e sociale, duke u bazuar në numrin e popullsisë që del nga regjistrimi. Shqiptarët që jetojnë në Serbi, në vazhdimësi përballen me diskriminim kombëtar dhe njerëzor e së fundi edhe me pasivizim të adresave të tyre. Prandaj, regjistrimi i cili fillon sot e përfundon më 31 tetor, për shqiptarët nuk është vetëm çështjet statistike. Si kryeministër i Republikës së Kosovës ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që t’u përgjigjeni regjistruesve, duke regjistruar veten dhe familjarët. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim. T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, ka thënë Kurti në një adresim në Facebook të shtunën në mbrëmje.