Kurti kryeministër, Rama: Ekzistojnë mundësitë për projekte të guximshme

Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër homologut të tij kosovar, Albin Kurti.

Marketing

Në këtë letër, Rama uron Kurtin për detyrën si kryeministër, ndërsa shprehet se është i vendosur që të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Rama shkruan se ekzistojnë të gjitha mundësitë për ndërmarrje të rëndësishme e projekte në shumë sektorë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

LETRA E PLOTË

Shkëlqesia Juaj, I dashur Albin,
Zgjedhja Juaj në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës më jep kënaqësinë t’Ju përcjell urimet e mia për sukses në drejtimin e vendit dhe përballimin e sfidave të qeverisjes.
Duke riafirmuar vendosmërinë time dhe të Qeverisë që unë kryesoj për t’i zgjeruar e intensifikuar më tej marrëdhëniet tona, unë besoj fort se tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë, përfshirë përballjen e përbashkët me COVID-19. Këto ndërmarrje do t’i kontribuojnë përmirësimit të jetesës dhe përparimit e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve.
Unë mbetem gjithashtu besimplotë se Ju dhe ekipi Juaj qeverisës do t’i kapërceni me sukses sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës në përparimin e saj të gjithanshëm demokratik e integrues në rajon dhe më gjerë, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.
Me urimet më të mira për sukses të Kabinetit Tuaj qeveritar dhe me ftesën e përzemërt për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për Ju, lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Sinqerisht Edi Rama.

Marketing