Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel, në një konferencë për media bashkë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha se dialogu Kosovë-Serbi nuk do të neglizhohet nga ana e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e dytë të vizitës së tij, pas takimit që zhvilloi me Borrell, Kurti tha se dëshirojnë që gjithë plan-programin e qeverisë ta kenë “në një linjë me vizionin e Bashkimit Evropian”.
“Dialogu nuk do të neglizhohet nga ne, prandaj zëvendëskryeministri im është i ngarkuar me këtë çështje. Do të vij në Bruksel në mes të muajit maj në darkën të cilën ju do ta organizoni me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të shikojmë që të kemi biseda e takime për të filluar një periudhë të re të dialogut”, theksoi Kurti.
Kurti në konferencë shfaqi edhe nevojën e Kosovës për më shumë vaksina, kjo edhe si arsye që në Kosovë t’u mundësohet ardhja kosovarëve që jetojnë në vendet e BE-së, në mënyrë që vendi të ketë shtytje ekonomike.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borell, ka thënë se dialogu me Serbinë është rruga e vetme e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Borrell tha se ka një vonesë të procesit të dialogut, ngase sipas tij, ky proces “duhet të ecë shpejtë”. Ai e përmendi fundin e qershorit si kohë kur mund të ndodhë takimi i ardhshëm në kuadër të procesit të dialogut.
“Rruga Evropiane e Kosovës kalon nëpër këtë dialog. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka alternativë tjetër. Për të arritur një marrëveshje të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është mënyra për të marrë perspektivën evropiane. Prandaj, për këtë punë e inkurajova kryeministrin Kurti që të përfshihet në këtë çështje”, theksoi Borrell.
Tutje, sa i përket situatës me pandeminë, Borrell tha se BE-ja do t’i dërgojë Kosovës sasi të vaksinave, por jo nga programi COVAX.
Kryeministri Kurti është pritur më herët në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ku u bisedua për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti konfirmoi qëllimin dhe aspiratën e hapur të Kosovës për integrim e anëtarësim në NATO, çka do t’i kontribuonte sigurisë së rajonit dhe Evropës.
Kryeministri Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, në vizitën dyditore në Bruksel pritet të takohen sot edhe me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.