Kurti në Prekaz: Kulla e Jasharajve, një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe të dhimbshme

Kryeministri Albin Kurti sot bashkë me kabinetin qeveritar ka bërë homazhe në Prekaz me rastin e përvjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari.

Marketing

Ai ka thënë se para se të ndodhte ‘Epopeja e UÇK-së’, ka pasur sulme në këtë kullë, ku sulmi i parë ka ndodhur qysh në vitin 1991 para më shume se 30 vitesh, shkruan Reporteri.net.

“E kemi obligim institucional dhe kombëtar e shoqërorë që këtë objekt të historisë së veçantë të Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi ta mirëmbajmë, sepse është një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe njëkohësisht të dhimbshme”, tha Kurti.
Pas homazheve Kurti dhe kabineti do të vizitojnë kullat ku do të takohet edhe me anëtarë të familja Jashari, do të vizitohet shtëpia e Hamit e Sala Jasharit dhe të shihen ndërhyrjet emergjente në këtë shtëpi.

Më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.

Ndërkaq, sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin.