Samiti i tretë Diasporës ka mbledhur në Tiranë në Pallatin e Kongreseve, përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historianë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të lartë politikës së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti emri i të cilit ishte në agjendën e samitit të sotëm për të marrë fjalën pas presidentes Vjosa Osmani, e ka anuluar pjesëmarrjen e tij në Tiranë në momentin e fundit.
“Euronews Albania” pyeti zyrtarisht Përparim Kryeziun, zëdhënës i qeverisë së Kosovës lidhur me arsyet e mungesës së Kurtit në këtë Samit.
Mungesën e pranisë në samit, Kryeziu e arsyetoi me “angazhime” të Kurtit në seancën e sotme të Kuvendit.
“Në Samitin e Diasporës i cili po organizohet në Tiranë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, po marrin pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi. Gjithashtu, pjesëmarrëse është dhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Për shkak të angazhimeve në agjendë, përfshirë seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku me kërkesë të opozitës do të raportojë mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Kryeministri Kurti nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë organizim”, u përgjigj zëdhënësi i qeverisë së Kosovës.