Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të takojë të hënën presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një deklaratë për media, kabineti i kryeministrit ka thënë se Kurti në vend të takimit me Thaçin, do të jetë pjesë e seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilin do të flasë Vasfije Krasniqi-Goodman, një prej viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përveç kësaj, Kurti ka pasur përmendur edhe arsye tjera.
“Presidenti sot e paska lënë t’i takojë krerët e partive. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk kam as interes e as gatishmëri ta takoj presidentin aktual. Si kryeministër e kam obligim. Takohemi një ditë tjetër kur të mbarojë me partitë”, është thënë mes tjerash në arsyetimin e mostakimit.
Presidenti i Kosovës ka ftuar kryetarët e partive më të mëdha politike për takim të hënën me qëllim të, siç është thënë, informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror.