Kurti pas takimit me Thaçin: Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti pas takimit që ka zhvilluar më presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi tha se i ka bërë të qartë qëndrimin se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përpos zgjedhjeve të reja.

Marketing

Ai ka thënë se për këtë u zotua edhe presidenti Thaci, i cili tha se do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Përpjekjeve te presidentit që ne të flasim për qeveri të re për kandidatura të reja iu jemi përgjigjur me qëndrimin tonë që nuk mund të kapërcejmë diku tjetër duke shpërfillur e mohuar nenin 82. 2 të Kushtetutës që thitë se pas mocionit të mosbesimit ajo çka ngelet është të shkohet në zgjedhje të reja. Presidenti u zotua që do ta respektojë kushtetutën ligjim dhe praktikat e mëhershme e ne të gjithë e dimë se cilat janë praktikat e mëhershme. Ne e theksuam këtë qëndrim tonin që presidenti nuk do të duhej të merrej me emra njerëzish e partisë por data për zgjedhjet e reja në kalendarin e këtij vitit. E di që ndodhemi në betejën intensive kundër virusit e mbase kjo mund të shtyjë datën e zgjedhjeve por kushtetuta e Kosovës nuk ofron alternativa ta tjera”, tha ai.

Aktualisht në takim me presidentin Thaçi është kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, qe ishte partner koalicioni në qeverinë tash në detyrë.

Ndërsa pas tij, pritet të vijë kryetari i PDK-së Kadri Veseli.

Nesër , në takime të ndara presidenti do t’i presë kryetarin e AKR-së, Nismës Socialdemokrate, Listës Serbe dhe 6+.

Qeveria e Kosovës është rrëzuar më 25 mars me dy të tretat e deputetëve të cilët votuan pro mocionit të mosbesimit të cilin e inicoi LDK.