Kurti refuzon t’i shkojë Osmanit në takim, e çon Konjufcën

Në takimin e nesërm të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive të vendit për të diskutuar për datën e zgjedhjeve nacionale kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të marrë pjesë.

Marketing

Burime për Klankosova.tv kanë bërë të ditur se në vend të Kurtit do të shkojë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke përfaqësuar Vetëvendosjen.

Për të njëjtin takim, ditë më parë, sekretarja e partisë më të madhe opozitare në vend, Vlora Çitaku, ka thënë se PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për datën e zgjedhjeve nacionale.

Çitaku tha se ftesa e Osmanit nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme, por me inicimin e datës për zgjedhjet e rregullta.

“PDK-ja e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim ligjor dhe kushtetues. Ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datën e preferuar do ta themi aty”.

Dje, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u ka dërguar letër të gjithë liderëve të partive politike që të takohen më 31 korrik në mënyrë që të flasin për datën e zgjedhjeve të reja nacionale. /Klankosova.tv