Kurti: Rifillimi i dialogut po u përshtatet kërkesave të Serbisë

Kryetari i Lëvizjes opozitare Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me mundësinë e rifillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marketing

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se ‘rifillimi i dialogut po u përshtatet kërkesave të Serbisë, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje’.

“Data 27 qershor e takimit është aty sepse vjen pas datës 21 qershor kur mbahen zgjedhjet në Serbi dhe datës 24 qershor kur Vuçiq shkon në Moskë për t’u takuar me Putinin”, ka shkruar Kurti.

Ky reagim i Kurtit vjen pasi i dërguari i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell njoftoi se palët do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Kreu i opozitës, Kurti ka shprehur edhe njëherë mosbesimin e tij nëse Kosova do të dalë fituese nga procesi i dialogut.

Sipas tij, ‘më parë se dialog si proces, kjo duket si takim njëditor ku servohen marrëveshjet’.

“Në anën tjetër, që Serbia të jetë e kënaqur, u sajua një qeveri koti në Kosovë e cila varet nga secili deputet i Listës Serbe, që hoqi reciprocitetin me Serbinë dhe ju zotua emisarit Grenell që nuk do të kërkojë anëtarësim për Kosovën në organizatat ndërkombëtare. (Kjo e fundit është heqje dorë nga neni 17, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës), ka shkruar Kurti.

“Qasja e këtillë asimetrike që ka për pikënisje pabarazinë e normuar midis Kosovës e Serbisë, sjell veçse marrëveshje të dëmshme, rrjedhimisht të papranueshme e të pazbatueshme. Andaj kjo gjen mbështetje vetëm te politikanë e zyrtarë që nuk përfaqësojnë popullin, sikurse Thaçi e Hoti”, përfundon postimi i tij.

Rifillimi i dialogut po i përshtatet kërkesave të Serbisë, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje. Data 27 qershor e…

Publiée par Albin Kurti sur Mardi 16 juin 2020

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Në tetor të vitit 2019, SHBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.