Kurti shkon në Shkodër, viziton kompozitorin e këngës “Xhamadani vija-vija”

Kurti në profilin e tij në Facebook ka vlerësuar krijimtarinë artistike të kompozitorit të këngës “Xhamadani vija-vija”.

“Gjuha e kultura, traditat e moçme dhe pasuritë natyrore, janë përbërës që formësojnë veprat artistike e që frymojnë edhe përmes muzikës. Mjeshtri i madh Zef Çoba, jo vetëm që ka kontribuar në mozaikun e këngëve aq të dashura shkodrane, por edhe ka kompozuar simfoni e himne bashkëkohore kombëtare. Të tilla janë “Xhamadani Vija-Vija” si dhe kënga “Atdheut”, e cila vjen si një urim vëllazëror i Shkodrës për Kosovën në vitin 2009, me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e që reciton edhe vargje të Gjergj Fishtës: “Zoti n’qiell e na mbi tokë, me gjithken’ vllazën e shokë””, ka shkruar Kurti.

Kurti tha se me të ka folur edhe për hekurudhën Prishtinë-Durrës në zemër të së cilës tha se do të ishte segmenti Gjakovë-Shkodër.

“Në shtëpinë-studio të tij, mes udhëtimeve në kujtesën e historive, të përvojave e përjetimeve, kënaqësi të dëgjosh edhe për ndërthurjen e këngëve mes Kosovës e Shqipërisë, si në rastin mes Gjakovës e Shkodrës, të cilat jo pak herë miqësisht kanë mospajtime mbi autorësinë se ku përkasin disa këngë të caktuara. E ky ishte çasti i duhur që të flasim për hekurudhën Prishtinë-Durrës në zemër të së cilës do të ishte segmenti Gjakovë-Shkodër. T’i bashkojë këto dy qytete emblematike të kombit tonë edhe më shumë sesa këngët, e t’i shijojnë më shpejt e më afër njëra-tjetrës pasuritë e mëdha kulturore-artistike si dhe vlerat kombëtare e historike që të dyja i bartin”.

Marketing