Kurti shpreson që këtë vit të ndodhë normalizimi i përhershëm i marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të mërkurën se shpreson normalizimin e marrëdhënieve Serbinë këtë vit, pas disa raundeve të bisedimeve të dështuara mes dy palëve.

Marketing

Në një intervistë për AFP, Kurti theksoi se është e rëndësishme që viti 2024 të jetë final, pasi dëshiron që pas kësaj të vazhdojë të merret me çështje të tjera të rëndësishme.

“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë uroj për këtë vit, për vitin 2024, dhe në vitet dhe dekadat e ardhshme dua të dal fitimtar në çështje si pabarazia sociale, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë”, deklaroi Kurti.

Kosova – e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Serbia që vazhdon ta kundërshtojë atë, janë të angazhuara në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, bisedimet kanë nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar pastaj në nivel politik.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje – nga lëvizja e lirë deri te çështja e të zhdukurve nga lufta e viteve 1998/99 – por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

Bashkimi Evropian kërkon vazhdimisht nga to që të zbatojnë gjithçka të dakorduar.

Normalizimi i marrëdhënieve, njëherësh, është kusht për të dyja vendet që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.

Bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë thirrje për themelimin e Asociacionit si dhe hapave të tjerë për normalizimin e mardhënieve Kosovë-Serbi.

Megjithatë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për qasje destruktive.