Kurti shtyn afatin për regjistrim të popullsisë për 11 komuna dhe për diasporën

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje e ku kanë vendosur për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave për 11 komuna deri me datën 24 maj 2024.

Marketing

Shtyrja ka ardhur pas kërkesave nga disa komuna.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike në të cilën, me kërkesë të komunës së Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave deri me datën 24 maj 2024.Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora shtyhet deri më datën 31 gusht 2024.