Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tarifa 100 për qind do të hiqet shumë shpejt dhe do të zëvendësohet masa e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti theksoi se në këtë drejtim, do të fillojnë shumë shpejt t’i përgatisin Doganat e Kosovës.
“Tarifa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100 për qind hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë”, ka shkruar Kurti.
Ai tha se “si Kryeministër i Republikës së Kosovës, e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100 për qind”.
Në fund, kryeministri kosovar ka shtuar se pret nga Serbia të deklarohet se ka vullnet ta ndalë “fushatën për çnjohjet”.
“Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës”, përfundoi Kurti.
Kryeministri Kurti dhe partnerët e koalicionit qeverisës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë theksuar edhe më herët gatishmërinë për heqjen e taksës, por që ajo të zëvendësohet me masë reciprociteti në “aspektin politik dhe atë ekonomik” për shtetin serb.
Qeveria e Kosovës i vendosi tarifë 100 për qind mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina në nëntor të vitit 2018.
Mekanizmat ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga ajo kohë heqjen e kësaj mase.