Kurti tregon kur do ta heqë taksën ndaj Serbisë dhe kur do ta vendosë reciprocitetin

Kryeministri Albin Kurti ndërsa ka folur sot për heqjen e taksës nuk ka dhënë një afat se kur do ta marrë një vendim të tillë, por ka thënë se këtë do ta bëjë pasi të marrë rekomandimet nga grupi punues që do të formohet nga Ministria e Tregtisë ku pjesë do të jenë organizata që merren me ekonominë dhe prodhuesit vendor.

Marketing

Ai tha se parimet e reciprocitetit që do të nxirren nga Qeveria e Kosovës do të jenë të bazuara në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe në CEFTA.

“Ministrja Rozeta Hajdari ka bërë edhe disa hapa që na sjellin më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë. Rozeta tashmë ka marrë vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Doagana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Ky grup do t’i përmbledh të gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim te qeveria. Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit”, ka deklaruar Kurti sot në Konventën e Prodhuesve të Kosovës.

Kurti tha se nuk do të marrë vendime për ekonominë e prodhimtarinë pa diskutuar e konsultuar me prodhuesit e vendit.

“Ekonomistët e qeverisë nuk mund të kenë prioritet ndaj ekonomisë prodhuese”, tha Kurti.

Kryeministri tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojë si e tillë.