Në përmbyllje të Samitit të Procesit të Berlinit është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I pyetur se a është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Serbinë pas rastit në Banjskë, Kurti tha se fillimisht duhet të zbatohet marrëveshja bazike.
“Ne kemi marrëveshje me Serbinë të 27 shkurtit njohja de facto reciproke duhet të zbatohet. Pala serbe ka refuzuar edhe sot kam kërkuar nga Bërnabiq ta nënshkruaj marrëveshjen bazike, unë jam që të zbatohen ato. Vuçiq ishte i zënë sot në Kinë. Nëse është aq i interesuar për stabilizim le ta nënshkruaj marrëveshjen”, deklaroi Kurti.
Tutje, kryeministri tha se veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, duke iu përgjigjur kështu deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama.
“Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës. Kemi nevojë më shumë për siguri të Kosovës kemi nevojë për trupa të NATO’së të bashkëpunojnë me policinë e Kosovës. Policia e Kosovës është e para, EULEX i dyti, KFOR i treti. KFOR nuk është institucion i zbatimit të ligjit. Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës”, përfundoi Kurti.