Kush do ta fitojë Euro2024: Taktika, aftësitë individuale, apo të dyja bashkë – Flasin ekspertët

Kampionatit Evropian po i vjen fundi.
Një muaj plot kënaqësi, që di të sjellë vetëm futbolli.

Marketing

30 ditë qindra transmetime e analiza të ndeshjeve në “EURO SHOW” ekskluzivisht në Klan Kosova dhe Artmotion, enkas dhe vetëm për meraklinjtë e futbollit.

E më 14 korrik luhet beteja finale.

Berlini do të jetë arena e përballjes së “gladiatorëve” – Spanjës dhe Anglisë.

Vendtakimi do të jetë “Olympiastadion” në Berlin.

Gazetari i sportit në Klan Kosova, Shpend Spahija, ish-futbollisti Malsor Gjonbalaj dhe trajneri Granit Dervisholli, dhanë vlerësimet e tyre për kampionatin dhe finalen e Evropianit të 14 korrikut.

Spahija në një intervistë për Klankosova.tv u shpreh se kombëtarja që e ka dëshpëruar atë është Franca.

Derisa tha se Austria dhe Gjeorgjia janë befasitë e këtij kampionati.

“Nuk ka qenë atraktive në asnjë aspekt të lojës, pavarësisht lojtarëve kualitativ që ka”, tha ai, duke folur për Francën.

“Austriakët, për shkak se edhe me mungesën e liderit David Alaba, kanë arritur të triumfojnë në grupin D, ku ishin edhe Franca dhe Holanda, ndërsa Gjeorgjia për arsye se ishte debutuese në Evropian dhe arriti në fazën eliminuese. Lojën më të bukur e kanë bërë Spanja dhe Holanda, ndërsa më të mërzitshmen Anglia (përjashtuar gjysmëfinalja) dhe Franca”, theksoi Spahija.

Ai shtoi se të dy finalistët janë të merituar.

“Spanja, përveç që ka arritur t’i fitojë të gjitha ndeshjet, ka zhvilluar edhe lojë të bukur për shikuesit. Në anën tjetër, Anglia pavarësisht lojës së mërzitshme, taktikat e trajnerit Gareth Southgate kanë pasur sukses, me mbrojtje të fortë, pak gola të shënuara, por që kanë mjaftuar për t’i kaluar të gjitha fazat, si dhe me zëvendësime të qëlluara. Rasti konkret është kundër Holandës në gjysmëfinale, ku pa kaluar 10-të minuta lojë pas inkuadrimit në fushë të dyshes Palmer-Watkins, i pari asiston dhe i dyti shënon për t’i siguruar përmbysjen dhe triumfin anglezëve”, shtoi gazetari.

Gazetari sportiv përmend edhe pikat e forta të “Furisë së Kuqe” dhe “Tre luanëve”.

“Pika e fortë e Spanjës është faza sulmuese. Te Anglia ajo e mbrojtjes. Por, vëmendja është tek mesfusha e fortë e dy kombëtareve, që mund ta bëjnë ndryshimin në lojë”, shtoi ai.

Shpend Spahija vlerëson se gjasat më të mëdha i ka Spanja për t’u shpallur fituese.

“Për shkak të paraqitjeve më të mira në këtë kampionat, Spanja ka gjasa më të mëdha që të shpallet kampione, ndërsa lojtari që mund ta bëjë diferencën në finale është sulmuesi Nico Williams, që ka treguar formë të lartë edhe me Athletic Bilbaon gjatë sezonit të fundit”, tha ai.

Ish-futbollisti Malsor Gjonbalaj, për organizimin e kampionatit tha se ishte në nivelin më të lartë.

Prezencën e tifozëve kuqezi, ai e vlerësoi mbresëlënëse.

“Ndonëse ka mbetur që të luhet edhe ndeshja e finales dhe duhet pritur edhe këtë takim, megjithatë mund të konsiderojmë që kampionati ishte shumë interesant. Nga këndvështrimi organizativ çdo gjë ishte në nivelin më të lartë, nga këndvështrimi i mbështetjes së tifozërive për ekipet e tyre, padyshim që kemi parë një mbështetje, kolorit dhe kreativitet të tifozërive duke theksuar prezencën dhe mbështetjen shumë të madhe për kombëtaren shqiptare gjë që ishte mbresëlënëse. Nga këndvështrimi profesional futbollistik është dhënë shumëçka nga futbollistët e trajnerët duke parë ndeshje të realizuara mirë taktikisht por dhe atraktive, me gola të bukur. Në Klan Kosova së bashku me kolegët, kemi analizuar në detaje të gjitha kombëtaret dhe ndeshjet e zhvilluara dhe përgjithësisht e konsideroj të mirë Kampionatin Evropian 2024”, tha Gjonbalaj për Klankosova.tv.

Ai theksoi se Spanja bëri lojën më të mirë në aspektin tekniko-taktik, që rrjedhimisht është e bukur edhe për sy.

“Ekipet që arrijnë në finale në këto gara të nivelit kaq të lartë, duhet respektuar, ndaj të dyja janë meritore për arritjen deri këtu. Padyshim Spanja ka bërë lojë më të mirë në aspektin tekniko-taktik, fizik dhe psikologjik që rezultoi dhe me lojë të bukur për sy, me pedantëri futbollistike të mesfushorëve të saj, me lëvizje dhe veprime të shpejta e kreative të pjesës ofensive, veçmas të Williams e Yamal, dhe me një mbrojtje stabile deri diku, dhe mund të konkludohet që Spanja arriti me plot meritë deri në finale. Anglia, nga ana tjetër, një skuadër me shumë futbollistë cilësorë, nuk ishte kaq e plotësuar sa Spanja në lojën e saj. Ajo la disa dilema shikuar përgjithësisht, në veçanti në mes të fushës deri sa aty u inkuadrua i riu Mainoo, i cili performoi mirë dhe u bë një partner për Rice në konsolidimin e mesfushës. Megjithatë, Anglia u tregua e pjekur taktikisht dhe psikologjikisht për të rikthyer rezultatin dhe për të arritur fitoret që ia mundësuan arritjen deri në finale”, theksoi ai.

Profesori universitar foli gjerësisht edhe për dy finalistët.

Ai tha se nëse dy skuadrat e shfaqin cilësinë që kanë, atëherë finalja bëhet e paparashikueshme.

“Të dy ekipet kanë futbollistë cilësorë, prandaj nuk duhet marrë vetëm rrugëtimin e tyre deri tani. Natyrisht që kjo e ka rëndësinë e vet dhe duhet patjetër të merren si referencë ndeshjet që kanë luajtur, por megjithatë kjo është finale dhe është një faktor shumë i rëndësishëm në këtë ndeshje që mund të vë në luhatje performancën e futbollistëve, ai është faktori psikologjik. Të gjithë janë profesionistë dhe janë të përgatitur psikologjikisht mjaftueshëm, por ndonjëherë në ndeshje të tilla është e mundshme që përgatitja psikologjike të luajë rol”, tha ai.

Gjonbalaj e pranon se dyshja finaliste kanë dallime të shumta, si në stil të lojës, ashtu edhe në cilësinë e futbollistëve. Ai e vë një nivel më lart mesfushën e Spanjës.

“Natyrisht, ka dallime në stilin e lojës, në qasje, në taktikë por edhe në cilësinë individuale në disa pozita, siç p.sh. është mesfusha. Spanja ka Rodrin, Ruizin, Olmon (që tash po e zëvendëson Pedrin shumë mirë) që janë futbollistë shumë të mirë teknikisht dhe të balancuar në veprimet e tyre ofensive dhe defensive. Ndërsa Anglia ka një mesfushë e cila ka pasur probleme që nga fillimi. E kemi parë krah Rice tek luante Arnold, pastaj Gallagher dhe tani Mainoo. Me Mainoo është arritur një stabilitet dhe lojë dukshëm më e mirë, por në finale duhet që edhe Bellingham të performojë pak më mirë, gjë që unë mendoj që ai do ta bëjë në finale dhe do jetë shumë më i dobishëm në këtë takim. Së paku pres që ai të dallohet me një lojë më të mirë”.

Për Malsor Gjonbalajn, nëse Anglia dëshiron t’i kundërvihet Spanjës, dy lojtarë duhet ta përmirësojnë lojën e tyre – Foden e Kane. Kështu, ai thotë se finalja bëhet e paparashikueshme.

“Ndërsa, Foden e Kane duhet të përmirësojnë lojën e tyre. Nëse këta futbollistë anglezë arrijnë vetëm të shfaqin cilësinë që kanë, finalja bëhet e paparashikueshme dhe mund të diskutohet fituesi, ndryshe nëse Anglia nuk shpejton lojën e saj në mesfushë në ofensivë dhe nëse në defensivë lejon hapësirë në mesfushë për të manovruar Rodri, Ruiz e Olmo dhe për të pasur mundësi të shërbejnë me kohë anësorët Yamal e Williams, atëherë do të ketë problem të madh me Spanjën. Sido që të jetë, është ende herët, duhet parë formën, lëndime të mundshme dhe ende është herët për të predikuar formacionin sepse ky është ekskluziviteti i trajnerëve duke analizuar të dhënat që i kanë për secilin futbollist nga pikëpamja teknike dhe taktike, nga performanca fizike e tyre, ripërtëritja e tyre, kundërshtari që e kanë përballë e kështu me radhë”, theksoi Gjonbalaj.

Gjonbalaj, i cili posedon po ashtu licencen Pro të UEFA-s për trajner, shtoi se në finalen e së dielës, Spanja dhe Anglia gjasat i kanë të barabarta.

“Në finale gjasat janë të barabarta. Për lojën që ka bërë deri më tani, Spanja e meriton trofeun. Anglia ka shfaqur disa dobësi gjatë ndeshjeve paraprake mirëpo nuk duhet të anashkalojmë cilësinë e lartë që kanë disa futbollistë anglezë për të cilët jemi të vetëdijshëm që mund të japin më shumë dhe në momente vendimtare si tani në finale të luajnë më mirë. Prandaj e konsideroj me gjasa të barabarta. Futbollistët që bëjnë diferencën te Spanja dhe do shquhen edhe në këtë takim mendoj që janë: Rodri, Ruiz , William e Yamal. Kurse, futbollistët anglezë që mund të bëjnë diferencën janë: Saka, Bellingham dhe po ashtu Kane e Foden që deri më tani nuk janë në nivelin e pritshmërive”, shtoi ai.

E trajneri i futbollit, Granit Dervisholli, tha për Klankosova.tv se shumë futbollistë të rinj që i kanë shfaqur cilësitë e tyre në këtë kampionat, do të jenë ata që do ta kenë fjalën kryesore viteve në vazhdim.Ai dha edhe mendimin e tij rreth finales së “Euro 2024”, duke thënë që favorite e sheh Spanjën.

“Spanja po, ndërsa Anglia me atë se çfarë ka treguar deri tash jo, por cilësia individuale që kanë nuk është rastësi pse janë në finale”, tha Dervisholli.

Trajneri foli edhe rreth përparësive që kanë dyja skuadrat.

“Në lojën në ajër besoj do të ketë një përparësi ekipa angleze kundër spanjollëve. Dallimi mes kombëtareve është që Anglia nuk po prodhon lojë, por fitoret po i merr nga individët. Ndërsa Spanja ka edhe lojën ekipore edhe atë individuale, sidomos në ofensivë (Ruiz, Yamal, Williams)”, tha ai.

Spanja deri më tani ka arritur që të shpallet kampione evropiane tri herë në histori të saj.

Së pari herë, “Furia e Kuqe” e ngriti trofeun në vitin 1964, kurse dy herë tjera më 2008 dhe 2012.

Derisa Anglia nuk ka arritur të fitojë asnjëherë titullin e Kampionit të Evropës deri më tani.