Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka sqaruar se të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës dhe e kanë të kryer testin për Covid 19, jo më të vjetër se 4 ditët e fundit, nuk janë të obliguar të qëndrojnë në vetizolim.
Por, nëse nuk e posedojnë testin, ata nënshkruajnë deklaratën për vetizolim, për shtatë ditë.
Kështu thuhet në një sqarim për media nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar e Kosovës
Sipas komunikatës, kur ekipi mjekësor që gjendet në pikën kufitare, vlerëson se udhëtarët kanë simptoma të COVID 19, atëherë ata i bëjnë udhëzimet mjekësore se si duhet të veprojnë.
Më tutje në komunikatë thuhet se për të hyrë në Republikën e Kosovës, shtetasit e huaj që nuk kanë test të COVID 19, duhet të kenë dëshmi të ligjshme për vendqëndrimin e tyre në Kosovë (leje-qëndrim ose kontratë qiraje, si dhe dëshmi të tjera të pranueshme).
“Kjo bëhet në mënyrë që të sigurohet se ata do të respektojnë masën e vetizolimit. Andaj ata persona që nuk paraqesin dëshmi të vendqëndrimit nuk u lejohet të hyjnë në Kosovë”, thuhet në sqarim.
Përjashtim nga ky rregull bëjnë studentët të cilët vijnë në Kosovë për t’iu nënshtruar provimeve, me kusht që të kthehen ne vendet e tyre të njëjtën ditë. Hyrja bëhet duke dëshmuar dokumentin studentor.
Të gjithë ata që kanë për qëllim kalimin transit nëpër Republikën e Kosovës, përjashtohen nga këto rregulla.
Nga 1 qershori në Kosovë ka hyjë në fuqi faza e tretë e lehtësimit të masave që janë vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Nga kjo datë janë hapur kufijtë tokësor, por sipas vendimit të Qeverisë se Kosovës të gjithë personat obligohen t’iu nënshtrohen kontrollave mjekësore në kufi dhe t’i zbatojnë masat kundër Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.