Kush është Artan Grubi, rrugëtimi i tij nga Lëvizja Zgjohu, deri në krahët e BDI-së

Artan Grubi, i cili më herët kishte punuar në disa organizata ndërkombëtare, u fut në politikë nëpërmjet organizatës Zgjohu, dorë e zgjatur e BDI-së, sidomos në protestat e vitit 2011 kundër ndërtimit të një objekti në Kala që pretendohej të transformohej në kishë. Grubi, shpejtë ngjiti shkallët në parti, u bë shef kabineti e këshilltar politik i Ahmetit, ndërkaq në vitin 2019-të u bë sekretar organizativ. Ahmeti, ishte aq i afërt me Grubin, saqë lejoi që të shkëputet një pjesë e anëtarësisë së partisë e cila për një periudhë funksionoi si i ashtuquajturi grupi i zjarrit, për shkak të mospajtimeve me Grubin, të cilin e kishte bërë zëvendëskryeministër të parë.

Marketing

“Tani janë çuar peshë, hiqe Artan Grubi. Po nuk e heq, sepse është vendim i shumicës”, pati thënë Sinkron: Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Për lojalitetin e Grubit ndaj Ahmetit, të shtresuar edhe në rrafshin privat me kumbaris, më së miri flet kjo deklaratë e vetë Grubit, i cili pranon se çdo aktivitet të tij politik e bën me aminin e Ahmetit.

“Nuk jam person i ri, nuk jam fëmijë. Por, të gjithë e dinë se në politikë unë do të bëjë ashtu siç do të më thotë Ali Ahmeti. Nëse Ali Ahmeti më thotë të shkojmë me LSDM-në, do të shkojmë me LSDM-në, nëse Ali Ahmeti më thotë të punojmë në atë lidhje si strategji. Shihem si pasues i tij, ushtar, si ta them aktivist, anëtar, i cili beson në të dhe që është në politikë për të. Unë kam hyrë në politikë për atë”, pati thënë Artan Grubi, BDI.

Grubi, në tubim partiak në vitin 2016-të, duke dashur të nxiste pjesëmarrësit me thirrjen “UÇK”, u përball me këtë situatë të sikletshme.

Në vitin 2023, Artan Grubi ishte në qendër të vëmendjes pasi iu dogj makina luksoze Audi. Ai, nuk pranonte se ishte makina ishte në pronësi të shokut të tij, e që sipas Grubit, ia kishte dhënë për ta përdorur. Megjithatë, kjo u prit me mosbesim në opinion, aq më shumë që në fletëpronësinë e tij kishte paraqitur një automjet modest, të cilin e voziste babai i tij.

Grubi, do të mbahet mend edhe për gabimin e tij trashanik në vitin 2014-të kur me nxitim shkoi të fotografohet me një përmendore në qendër të Shkupit, duke pretenduar se është veprimtari shqiptar Nexhat Agolli. Në fakt, përmendorja ishte qenë e veprimtarit maqedonas, Metodija Shatorov-Sharlo.

Grubi, ndër vite është akuzuar nga partitë kundërshtare edhe si funksionar i cili ka krijuar propagandën e BDI-së, nëpërmjet mediave dhe portaleve të caktuara.

Ndonëse ishte politikan, Grubi është akuzuar edhe për përzierje në aktivitetet e grupit të tifozerisë së Shkupit “Shvercerat”.

Gjithashtu, VLEN ka akuzuar Grubin si një ndër kokat e biznesit me kazinot. Grubi, ishte edhe pjesë e përgjimeve të publikuara nga Zoran Zaev. Në një bisedë mes Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit, Grubi, përgojohet si Kali i Shemës. Megjithatë, Grubi do të mbahet mend për freskinë rinore të BDI-së, koncertet me Noizin dhe njerëz të estradave të ndryshme nga Shqipëria e Kosova, ideatori i teorive SRMN (Sun rri me ne) etj., dhe në fund, me valixhen e tij gjatë fushatës zgjedhore./Alsat.mk

Marketing