Kush është Lupço Palevski, i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares në Shkup

I ekspozuar në media, aktiv në politikë dhe biznesmen i dyshuar, kështu mund të përshkruhet profili i Lupço Palevskit – Palço, i dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski nga Velesi.

Marketing

Palevski ishte aktiv në rrjetet sociale me podkastin e tij “Krsh”, si drejtues i lëvizjes “E treta”, një grupim politik me bindje pro-ruse ku ai përçonte mesazhe me nxitje nacionaliste.

Mbrëmjen e 21 nëntorit, një ditë para rrëmbimit të 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, ai kishte bërë një njoftim në rrjetin social Facebook se emisioni i radhës i paraparë për të dielën, do të shtyhej për të martën, më 23 nëntor.

Ditën e rrëmbimit të Zhezhovskit ai nuk bëri asnjë postim, ndërsa pas rrëmbimit të 14-vjeçares në disa raste ka shkruar se fëmijërinë e kishte kaluar pranë shkollës “Pestaloci”, e njëjta ku mësonte Vanja Gjorçevska.

Derisa vazhdonin kërkimet për Vanjën, në postimet e tij, i dyshuari për rrëmbimin dhe vrasjen e saj, përdorte gjuhë të urrejtjes dhe nacionalizëm ekstrem.

Lupço Palevski dhe katër persona të tjerë, përfshirë dhe të atin e vajzës, pas një hetimi intensiv nga policia dhe prokuroria maqedonase, rezultuan të jenë autorët e rrëmbimit, ndërsa Palevski edhe ekzekutor i tyre.

Një ditë para publikimit të hetimeve, Palevski ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut, ndërsa më 5 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, njoftoi se ai ishte arrestuar në Turqi dhe se tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, derisa të dyshuarit e tjerë tashmë ndodhen në paraburgim në Shkup.

Lupço Palevski-Palço, ish-themelues i javores “Start”, përmes së cilës ai donte të ishte i pranishëm në media, kështu që përveç podkast-it të tij personal, i cili ka 2500 ndjekës, ai mori hapësirë edhe në portalin pro-rus “Infomax”, sipas hulumtimeve mbi ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut.

Palço për opinionin e gjerë njihet që nga viti 1998 kur u bë kryetar i degës së Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) në Shkup, e cila tani drejtohet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ekspertët e kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se pikërisht kjo është periudha kur atij i jepet mundësia të afrohet me ish-drejtorin e policisë sekrete në atë periudhë, Zoran Verushevski.

Kush dhe pse e “mbronte” Palçon?

Emri i Lupço Paleskit-Palço u bë “i pakëndshëm” për shumëkënd kur u bë e ditur se ai u arrestua me dyshimin se fshihej pas kanalit në Youtube “Nikola Tesla” ku në vitin 2017 ishin publikuar bisedat e përgjuara të politikanëve, gazetarëve, biznesmenëve dhe personazheve publike.

Prokuroria Speciale Publike që ishte formuar në vitin 2016 për hetimin e përgjimeve, kishte zbuluar se përmes kanalit “Tesla”, Palevski ka bërë shantazhe të ndryshme mbi personat e përgjuar, por pavarësisht kësaj ai është liruar.
Ai arriti deri aty saqë disa nga bisedat e përgjuara i kishte lëshuar të dëgjoheshin në sheshin e qytetit të Prilepit, por edhe atëherë u arrestua dhe më pas u lirua.

Për ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, është e qartë se ka pasur mbrojtje nga zyrtarë të lartë të policisë edhe atëherë edhe tani.

“Në atë kohë, Ministria e Brendshme kishte dyshime se ai po i përdorte për shantazh, por atëherë ishte aktuale dhe kaloi. Por, supozoj se ai ka qenë në komunikim me njerëz të MPB-së për një kohë të gjatë dhe kjo pyetje duhet t’i drejtohet drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Ai tani mban përgjegjësi politike dhe duhet të thotë nëse Palevski ka komunikuar me shërbimet. Fakti që deri më tani nuk ka epilog më serioz për kaq shumë prej veprave të tij, është befasues”, thotë Trajanov.

Ai për një kohë të gjatë merrej me biznese në fushën e ndërtimtarisë dhe ndërtoi objekte në qendër të Shkupit, disa prej tyre ndërtime pa leje, e më i famshmi ndër to është objekti i njohur si “Tifani”.

Në vitin 2021, në emër të Palevskit u regjistrua Shoqata e qytetarëve për popullarizimin e mendimit të lirë dhe mediave “Desna Republika” (Republika e Djathtë), adresa e së cilës është gjithashtu në qendër të Shkupit. Spasovski e quajti “përbindësh”, opozita e akuzon si “bashkëpunëtor”

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ditën që doli me detajet e hetimin, ishte zotuar se do të bënte gjithçka për arrestimin e rrëmbyesit dhe ekzekutorit të viktimave.

“Do të bëj gjithçka, ju premtoj, që ky person ose nëse preferoni, ky përbindësh, gjurmët e të cilit po e ndjekim sapo të shkelë në tokën tonë, të dalë para drejtësisë”, pati deklaruar Spasovski.

Mirëpo, opozita e akuzoi Spasovskin se ka palogjikshmëri në hetim dhe e pyeti ministrin e Brendshëm nëse Palço kishte vërtet informacion për të dhe për këtë arsye ishte arratisur përtej kufirit.

Por, Spasovski i mohoi këto akuza, ndërsa mbrëmjen e 5 dhjetorit kur njoftimin arrestimin e Palevskit në Turqi tha se të gjitha ata që e keqpërdorin këtë rast, janë “politikanë amatorë”, kurse të gjithë të tjerët që vazhdojnë të nxisin urrejtje dhe të përhapin dezinformata, do të japin llogari./REL