Janë publikuar pamjet e operacionit ku u arrestua një çift shqiptarësh me origjinë nga Kosova, pasi ishin duke u përgatitur për të kryer një sulm terrorist.
Mediat italiane kanë ndarë videon, teksa raportojnë se dyshohet se burri dhe gruaja kanë lidhje me grupin terrorist ISIS.
Nga hetimet rezultoi se bëhej fjalë për dy të rinj të lindur në Itali, me origjinë nga Kosova, të cilët edhe pse të angazhuar në punë dhe studime, prej kohësh i ishin futur rrugës së radikalizimit nga propaganda xhihadiste në internet.
Pasi të kryenin sulmin, ata supozohet të udhëtonin në Afrikë, ku do të bashkoheshin me organizatën terroriste.
Policia sekuestroi gjatë kontrolleve pajisje kompjuterike dhe produkte kimike – prekursorë për prodhimin e mjeteve shpërthyese.
Të gjitha këto u dorëzuan në Grupin e Hetimeve Shkencore për hetime teknike.