Kush është Yanukovych, ish-presidenti që Putini po dëshiron ta rikth

Presidenti rus Vladimir Putin po përgatit ish-presidentin ukrainas Viktor Yanukovych për ta vënë sërish në krye të Ukrainës, nëse forcat e tij marrin Kievin dhe rrëzojnë lidershipin e zgjedhur në mënyrë demokratike, pati raportuar uebfaqja e lajmeve dhe analizave Ukrayinska Pravda ditë më parë.

Marketing

Kjo faqe pati cituar një zyrtar të inteligjencës që thoshte se Yanukovych, i cili ka jetuar në Rusi që kur iku nga Ukraina më 2014, është aktualisht në Bjellorusi, duke pritur që trupat ruse ta marrin Kievin dhe Putini ta shpallë atë president të ri.

Por, kush është Viktor Yanukovych?

72-vjeçari ka qenë president i Ukrainës nga viti 2010 deri në shkurt 2014 pas protestave masive kundër vendimit të tij për të refuzuar marrëveshjen e vendit për t’u afruar më shumë Bashkimit Evropian, me syrin drejt anëtarësimit në BE.

Shumë ukrainas dhe grupe civile ndërkombëtare patën kritikuar Yanukovychin se udhëheqtë një administratë të korruptuar, duke përfshirë akuza se ai përvetësoi fonde nga qeveria. Ai favorizoi një grup të pasur biznesi përfshirë djalin e tij dhe familjarë të tjerë. Grumbulloi një pasuri të madhe personale.

Edhe pse pjesën më të madhe të jetës së tij punoi si udhëheqës biznesi i nivelit të mesëm dhe më pas si shërbyes civil e politikan, Yanukovych pati jetesë ekstravagante. Në pasurinë e tij përfshihej një rezidencë gjigande prej druri, kopsht privat zoologjik, hapësira tenisi, boulingu, golfi e të tjera, kanë shkruar mediat e huaja.

Origjina nga Donbasi dhe ngritja politike

I lindur në një familje të varfër në Donetsk, rajoni ku gjerë flitet rusisht, Yanukovych ishte menaxher i një kompanie transporti para se të caktohej nënkryetar e më pas kreu i qeverisjes rajonale të Donetskut më 1996 dhe 1997.

Presidenti ukrainas Leonid Kuchma e caktoi Yanukovychin kryeministër më 2002. Ai u pa si një pro-rus, edhe pse publikisht deklaroi se mbështeste Ukrainën në anëtarësimin në BE. Kabineti i tij po ashtu u pajtua që ushtarët ukrainas të mbështesnin koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja në Luftën e Irakut më 2003, teksa kishte dalur kundër anëtarësimit në NATO.

Më 2003 ai garoi për president. Ai fitoi, por zgjedhjet u përcollën me kritika dhe kundërshti nga shoqatat civile dhe monitoruesit ndërkombëtarë. Kjo rezultoi në protesta dymujore dhe greva, periudhë që u bë e njohur si Revolucioni Portokalli i Ukrainës. Gjykata Supreme e Ukrainës shpalli të pavlefshme zgjedhjet dhe urdhëroi rivotim nga ku në fund të vitit 2004 Viktor Yuschenko, kundërshtar i Yanukovychit, u shpall fitues.

Menjëherë pas fitores së Yuschenkos, parlamenti kaloi mocionin kundër qeverisë së Yanukovychit. Yanukovych dha dorëheqje duke thënë se donte të anashkalonte ndonjë dhunë politike.

Pas dorëhehqjes, Yanukocych udhëhoqi partinë më të madhe opozitare, e cila u afrua më shumë me Rusinë dhe nënshkroi bashkëpunimin me partinë politike ruse.

Fushata e dytë presidenciale

Më 2009, Yanukovych garoi sërish duke mundur kundërshtarin përfunimisht më 2010. Ai tha se integrimi i Ukrainës në BE ishte qëllim, por vazhdoi të thoshte se Ukraina nuk duhej të bashkohej me NATO-n.

Derisa ishte president, Yanukovych gjerë u dënua për ndjekjen penale që i bëri rivales së tij Tymoshenkos, që ishte dënuar me 7 vjet burgim për akuza korrupsioni lidhur me marrëveshjen e gazit që Ukraina nënshkroi me Rusinë kur ishte kryeministre. Yanukovych kundërshtoi faljen e saj ose lirimin me kompensim. Ajo u lirua më 2014 pasi Yanukovychi u përzu.

Tensioni me Rusinë

Në nëntor 2013, Yanukovych do të udhëtonte në Lituani në një samit me BE-në ku pritej ta nënshkruante një marrëveshje që do të vendoste kornizën për narrëdhëniet e Ukrainës me bllokun evropian. Marrëveshja do ta kishte vendosur Ukrainën në një rrugë të qartë për anëtarësim në BE.

Por marrëveshja zemëroi Putinin i cili u përfshi në fushatë ekonomike kundër Ukrainës, që çoi në rënie ekonomike. Kremlini publikisht kërcënoi Ukrainën nëse do të vazhdonte para me marrëveshjen me BE-në.

Më 21 nëntor Yanukovych ndryshoi qasjen dhe tha se nuk do ta nënshkruante marrëveshjen. Në vend të saj, ai do ta pranonte një pako financiare ruse për të përmbushur detyrimet e borxhit të vendit.

Rënia

Vendimi i tij nxiti një seri protestash, fillimisht të përqendruara në Sheshin e Pavarësisë të Kievit, ose Maidan, që u bënë të njohura si protestat Euromaidan. Protestuesit kampuan në shesh dhe refuzuan të largoheshin, përveç nëse Yanukovych nënshkruante marrëveshjen me BE-në, lironte protestuesit e burgosur, harmonizonte kushtetutën dhe dorëhiqej nga zyra. Policia sulmoi protestuesit, një lëvizje kjo që nxiti protesta të mëtejmë në Ukrainë. Dhuna eskaloi pas 16 janarit 2014 kur Yanukovych futi në fuqi ligjin e tmerrshëm të kufizimit të lirisë së shprehjes dhe tubimit. Protestuesit pushtuan ndërtesat administrative në Ukrainë. Ligjvënësit tërhoqën disa nga masat, por protestat vazhduan të rriteshin.

Në mes të shkurtit, përplasjet e dhunshme në rritje kishin marrë jetët e dhjetëra protestuesve. Më 21 shkurt, Yanukovych pretendoi se kishte arritur një marrëveshje me opozitën, por më pas iku nga Kievi bashkë me ministrat e tij. Ai udhëtoi në Krime dhe më pas në Rusi. Parlamenti e shkarkoi edhe zyrtarisht nga zyra e tij dhe muaj më vonë u lëshua urdhër arrest ndaj tij mbi akuzat se ishte përgjegjës për “vrasjet masive të civilëve”. Në janar 2019 një gjykatë ukrainase e dënoi në mungesë me 13 vjet burgim për tradhti kombëtare. Më vonë ai falënderoi Putinin se i kishte shpëtuar jetën.

Protestat që njihen edhe me emrin “Revolucioni i Dinjitetit” shpejt u ndoqën nga krizat në Krime dhe konflikti në lindje të Ukrainës.

Pavarësisht, akuzave, protestave e vdekjeve të qytetarëve ukrainas, Yanukovychit mund t’i vjen një shans tjetër në kohën kur po ndodh luftë në Ukrainë e filluar nga Rusia.