Kush janë padronët e rinj të teknologjisë?

E ardhmja e teknologjisë është e ardhmja e e financuesve të saj. Dhe financuesit kanë ndryshuar. Fillimisht qenë ushtarakët, më pas të quajturit venture capitalist. Sot hapet një kapitull i ri: fundet multimiliardëshe, shpesh të lidhur me shtetet, janë padronët e rinj të teknologjisë. Lideri i sektorit është grupi japonez SoftBank, një shumëkombëshe që ka investuar në Uber, WeWork, Alibaba dhe Nvidia. Kompanitë e saj prodhojnë qenë robotë (Boston Dynamics), por ofrojnë edhe shërbime dog sitting (Wag).

Marketing

Modeli i SoftBank është i thjeshtë: ngre në këmbë kompani që gjenerojnë likuiditet (si operatorët e telefonisë mobile), i përdor si garanci për të marrë hua në sasira të mëdha parashë (borxhi afatgjatë i SoftBank është me rreth 130 miliard dollarë) dhe blen kompani teknologjike. Falë përqindjeve të interesit ndër më të ulëta gjithmonë, SoftBank ka nxjerrë përfitime nga kriza financiare. Ka vepruar në mënyrë të tillë që Apple, prodhuesi i procesorëve Qualcomm dhe fondet e ndryshme pasurore sovrane të kontribuojnë në fondin e tij prej 98 miliard dollarësh i quajtur Vision Fund.

Arabia Saudite është impenjuar të derdhë 45 miliard dollarë, Abu Dhabi 15 miliard dhe Bahreini po vlerëson një pjesëmarrje në të. Masayoshi Son, themeluesi i SoftBank, dëshiron që të lançojë fonde si Vision Fund çdo 2 apo 3 vjet. Dëshiron të investojë edhe 100 mijë miliard jen (rreth 755 miliard euro) në 1000 kompani robotike dhe inteligjence artificiale. Ku do t’i marrë këto para? Për shembull, Arabia Saudite do të përdorë ofertën publike fillestare të gjigantit petrolifer Aramco për ta rritur fondin e tyre sovran. Të tjerë do të dëshirojnë t’u bashkohen. Ekzistojnë shumë ekuivokë lidhur me faktin sesi funksionojnë fondet sovrane. Më i madhi i botës, ai i Norvegjisë, menaxhohet në mënyrë të matur. Ama jo të gjithë funksionojnë kështu. Ashtu si SoftBank, marrin para hua me interesa të ulëta, shpesh për të rifinancuar vetë borxhin e tyre, duke ia destinuar pjesën tjetër startup-eve teknologjike. Për shembull, fondet e Malajzisë, Bahreinit dhe Abu Dhabi, ndër investitorët më të vonshëm në teknologji, e përdorin borxhin si levë financiare.

SoftBank dhe partnerët e tij e përdorin borxhin për t’u bërë pararoja e transformimit dixhital të ekonomisë, duke i forcuar sektorët e tyre strategjikë: infrastruktura, të dhëna dhe inteligjencë artificiale. Kjo krijon shumë situate të çuditshme. Merrni për shembull Airbnb-në, që ka midis investitorëve të tij CIC-në dhe Temasek-un (përkatësisht fondet sovrane të Kinës dhe të Singaporit). Shpesh Airbnb-ja është akuzuar se i rrit qiratë në qytete të tilla si Amsterdami apo Barcelona. Po ku shkojnë këto para? Sigurisht, u mundësojnë drejtuesve që të blejnë jahte të kushtueshme. Por nëpërmjet fondeve sovrane mbushen edhe arkat e qeverive. Disa kanë menduar që të lançojnë fondet e tyre spekulative duke u vënë etiketa me dukje joofensive. Pasojat e këtij modeli nuk janë të qarta, pasi shtetet mund të tundohen që të braktisin çdo lloj politike industriale, duke ia lënë që të bëjë gjithçka SoftBank-ut të radhës.

Le të mendojmë për Norvegjinë. Ka përfituar nga shpërthimi i aksioneve teknologjike dhe fondi i saj posedon një fetë të Silicon Valley. Kjo i ka mundësuar vendit që të rrië shpenzimet sociale, pasi fitimet e fondit kanë zënë vrimat e bilancit. Por teksa kompanitë teknologjike rriten, nganjëherë të financuara nga Norvegjia, bota bëhet gjithnjë e më varur nga shërbimet e tyre do të ketë gjithnjë e më pak teknologji kombëgare në gjendje që të plotësojnë nevojat e cloud computing apo të inteligjencës artificiale. Disa vende do të vazhdojnë të promovojnë gjigantët e tyre teknologjikë: Kina, që ka investuar 150 milion dollarë në inteligjencën artificiale, dëshiron që ta forcojë kontrollin mbi të dhënat e rrjetet dhe nuk do të lejojë që kompanitë e saj të blihen nga Bahreini. Diçka e ngjashme po ndodh në Shtetet e Bashkuara.

Pasi ka lançuar një plan shtetëzimi të rrjetit 5G, për motive të sigurisë kombëtare, Uashingtoni ka bllokuar marrëveshjen më të madhe midis kompanive teknologjike të historisë, shkrirjen midis Qualcomm të San Diego dhe Broadcom të Singaporit, prapa të cilit do të ishte Kina. Ekspansioni global i këtyre fondeve nuk është ilaç ndaj nacionalizmit ekonomik. Nëse disa do të investojnë mijëra miliard dollarë në kompanitë teknologjike e vendeve të tjera, do të kërkojnë heqjen e barrierave për investimet. Por retorika globaliste nuk i bën ata armiq të nacionalizmit ekonomik, i të cilit janë bile idhtarët më të zjarrtë.

Të humburit janë europianët: ndërsa Kina dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin kompanitë e tyre, Europa humbet xhevahiret e saj. kompanitë robotike gjermane dhe italiane u janë shitur kinezëve. Në Mbretërinë e Bashkuar, Soft-Bank ka blerë prodhuesin e procesorëve Arm. Një kompani e lidhur me SoftBank mund të marrë pjesë në tenderin për frekuencën 5G në Mbretërinë e Bashkuara. Europa do ta paguajë shtrenjt faktin që nuk ka as proteksionizmin e Kinës apo të Shteteve të Bashkuara, as aftësinë financiare e shteteve të Gjirit Persik. Është e zonja të shesë automobile dhe syze, por të shesësh automobile inteligjentë dhe syze inteligjente është një histori krejtësisht tjetër.

(Evgeny Morozov është një sociolog, ekspert në Teknologji dhe Informacion)

Përgatiti: bota.al