Qeveria e anuloi listën që ka të bëjë me atë se për çfarë investimesh kompanitë do të mund të marrin para nga kredia hungareze. Këtë në deklaratë ekskluzive për TV21 e shpalosi kryeministri Hristijan Mickoski i cili nuk precizoi detaje se çfarë përveç prodhuesve, objekteve administrative dhe qendrave tregtare në mënyrë shtesë do të mund të kreditohet me 250 milionë euro nga kredia hungareze.
Në vend të janarit, siç pohonte paraprakisht, kryeministri tani tha se paratë te kompanitë do të arrijnë në shkurt.
“Ka disa ndryshime, e zgjeruam rangun e kompanive që do të mund të jenë përdorues, që të shfrytëzojnë të njëjtin. Në seancën e ardhshme të martën do të kalojë marrëveshja dhe do të mundet Banka maqedonase për zhvillim dhe ripërtritje në mënyrë praktike t’i nënshkruaj marrëveshjet me bankat komerciale. Dhe tashmë në shkurt kompanitë të mund t’i shfrytëzojnë”, tha Hristijan Mickoski.
Kryeministri paraprakisht pohonte se paratë te kompanitë do të arrijnë në fillim të janarit.
“Procesi është në fazën finale. Pres që pas festave të fundvitit bankat të fillojnë, edhe pse një pjesë e bankave tashmë i promovojnë, por të fillojnë edhe në mënyrë aktive të bartin një pjesë të mjeteve deri te kompanitë që do i shfrytëzojnë”, deklaroi Mickoski.
Me ndryshimin e Ligji për borxh publik në Kuvend, hapet mundësi ligjore paratë të barten te Banka zhvillimore. Ajo do të bëhet përmes huamarrjes nga buxheti i mjeteve tashmë të siguruara. Marrëveshja e huamarrjes, me kërkesë të Bankës për Zhvillim, do të miratohet nga Ministri i Financave me vendim të miratuar më parë nga Qeveria.
Ajo duhet që marrëveshjen në të cilën janë caktuar kushtet në mënyrë të saktë ta parashtrojë deri te bankat komerciale. Ata marrëveshjen duhet që ta dërgojnë në miratim te bordet mbikëqyrëse, pas çka do të mund të fillojnë procedurat për aplikim nga ana e kompanive.
Përndryshe norma e interesit për paratë nga kredia hungareze për kompanitë është 1.95%, me grejs periudhë prej 3 vjetëve dhe afat për pagesë prej 15 vjetëve. Shuma maksimale është 10 milionë euro, ndërsa kompanitë do të duhet të sigurojnë pjesëmarrje prej 20%.