Futbollisti kosovar është i interesuar të transferohet në Galatasaray dhe gjiganti turk e do me ngulm sulmuesin e rrezikshëm. Por, çka po e pengon realizimin e këtij transferimi?
Vedat Muriqi ka nisur të bëhet një telenovelë, shkruan Gazeta Express.
Futbollisti kosovar e kaloi një sezon fantastik me Rizesporin në Turqi dhe fillimisht flitej se ai do të transferohej në Fenerbahçe.
Mirëpo, gjërat ndryshuan sa hap e mbyll sytë sapo u fut në garë për të edhe Galatasaray.
Trajneri Fatih Terim e do Vedat Muriqin dhe Vedat Muriqi e do Galatasarayn.
Por, mediat turke e kanë zbuluar arsyen e vërtetë se përse po zhagitet ky transferim.
“Rizespori e ka bindur Galatasarayn që t’i paguajë 6 milionë euro për Vedat Muriqin. Por, problemi qëndron për faktin se golashënuesi nga Kosova nuk mund të përfundojë në Stamboll pa shitur lojtarë fillimisht Galatasaray. Edhe pse ky klub i ka paratë dhe dokumentacionin e gatshëm për Muriqin, sistemi i transferimeve të FIFA-s nuk ia lejon këtë transfer”, shkruajnë mediat turke.
Muriqin ndërkohë e duan edhe Toulouse në Francë, Real Betisi në Spanjë dhe Anderlechti në Belgjikë.