Kush po i sponsorizon protestat në Shkup, dalin të dhëna në rrjetet sociale?!

Protestat e ditëve të fundit në Shkup kundër marrëveshjes për emrin dhe integrimeve të vendit në NATO dhe BE duket se kanë një organizatorë.

Marketing

Edhe pse organizimi i tyre publikisht siç po thuhet po bëhet përmes rrjeteve sociale, megjithatë në prapaskenë thuhet po ashtu nga debatet në këto rrjete se pas tyre qëndrojnë qendra të rëndësishme, përfshirë edhe ato diplomatike, informon INA.

Gazetari Zoran Bozhinovski ka publikuar një bisedë mes tij dhe një tifozi të “Komitëve” (nuk është verifikuar se a është autentike) ku një tifoz ka shpjeguar se janë marrë para nga struktura ruse, të cilat qëndrojnë pas protestave dhe synojnë destabilizimin.

Po ashtu një akuzë tjetër në rrjetet sociale është nga aktivisti qytetar Bobi Ilievski i cili e involvon pronarin rus të klubit “Vardar”, tifozët e të cilit janë “Komitët”. Përveç tij, janë përmendur edhe kompani me kapital rus që funksionojnë në Maqedoni, njëra prej të cilave ka të bëjë me derivatet e naftës.

Në protestat e mbrëmshme valvitën edhe flamuj rus, si dhe u dëgjuan brohorima pro Rusisë.

Grupi i tifozëve “Komitët” dhe organizata “Vëllazëria Krishtere” janë më të zëshmit dhe pjesë e mozaikut paramilitar në këto protesta.

Protesta e mbrëmshme eskaloi dhe pati përplasje mes policisë dhe grupeve huligane të protestuesve që sulmuan policinë dhe tentuan që të futen në Kuvend.

Ministria e Brendshme arrestoi mbrëmë 25 persona të dyshuar për dhunë dhe sulm ndaj policisë, por edhe për prishjen e rendit dhe qetësisë.