Kushtet e Bullgarisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut mund të llogaris në mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por mbështetja nuk do të jetë pa kushte, kanë deklaruar drejtuesit e shtetit bullgar pas një takimi në Sofje ku është diskuar për qëndrimin që do të mbajnë në Samitin e Këshillit Evropian, në tetor.

Marketing

”E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE dhe ajo nuk duhet të luaj me këtë mundësi. Ne nuk kemi popull më të afërt. Është me rëndësi që të pranohen në BE, por me rëndësi është që ta kuptojnë se kjo varet nga vet ata. Andaj apeloj që t’i japin fund lojërave me historinë, të kaluarën dhe të përqendrohen nga e ardhmja”, ka deklaruar kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, duke aluduar në mosmarrëveshjet me Shkupin lidhur me prejardhjen e disa personaliteteve historike nga e kaluara, në veçanti të Goce Dellçevit, të cilin dy shtetet e konsiderojnë si hero.Presidenti bullgar Rumen Radev, ka thënë se Sofja nuk dëshiron që të jetë pengesë për datën e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut, por edhe ai ka kërkuar reflektim nga Shkupi zyrtar.

“Asnjëherë nuk kemi thënë se pa kushte do të mbështesim anëtarësimin e saj në BE. Kemi 71 instrumente që këtë ta bëjmë gjatë procesit të hapjes së kapitujve. Prandaj, apeloj që t’i japin fund lojërave me historinë dhe të kaluarën dhe të koncentrohen tek e ardhmja”, ka deklaruar Radev.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, duke komentuar këto qëndrime të zyrtarëve bullgar ka shprehur besimin e arritjes së një marrëveshjeje mes dy shteteve për çështjen kontestuese, por Zaev ka thënë se më së paku pret që Bullgaria të jetë pengesë për datën e bisedimeve.

“Besoj se edhe ky kapitull i historisë do të mbyllet dhe do të gjejmë zgjidhje përfundimtare pasi me këtë ne forcojmë miqësinë që është edhe qëllimi ynë. Ne seriozisht do t’i marrim parasysh mesazhet nga Sofja, por konsideroj se nuk ka vend për brengosje. Besoj se Bullgaria do të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj të procesit integrues të Maqedonisë së Veriut në Samitin e Këshillit Evropian, që pas 15 vjet pritjeje me statusin kandidat të marrim datën e bisedimeve”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.Dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria më 1 gusht të vitit 2017, arritën një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por zbatimi i saj ende nuk është arritur për shkak të dallimeve mes dy vendeve për prejardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara.

Marketing